“Të rrezikosh shëndetin dhe jetën e njerëzve për të luajtur një pllakë gramafoni”.
Kështu u shpreh sot Kryeministri Edi Rama, duke iu referuar një takimi që kreu i PD-së Lulzim Basha zhvilloi sot me qytetarët në Durrës përkundër masave të marra dhe apelit të ekspertëve për ruajtjen e distancimit fizik për të parandaluar përhapjen e COVID-19.
Në foto shihet qartë që qytetarët nuk kanë ruajtur distancën fizike.
Më herët reagoi edhe ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu u shpreh sot “e tmerruar nga kjo shfaqje ekstreme papërgjegjshmërie, në kushtet e hapjes, kur më shumë se kurrë njerëzit duhet të respektojnë rregullat e mbrojtjes nga COVID-19, sepse ekspozimi është i madh”.
Në një reagim, sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi tha se “sot vatra e vetme e infeksionit masiv është spitali, që duhet të ishte vendi më i sigurt e ku masat të ishin me rigoroze”.
“Edi Rama nuk tmerrohet nga varfëria e shqiptarëve dhe nga papunësia masive e tyre, por e përdori coronavirusin për të vjedhur dhe gënjyer qytetarët”, tha ai, duke shtuar se “ka të drejtë të tmerrohet nga bashkimi i shqiptarëve, që i la pa asnjë ndihmë, pa asnjë mbrojtje, dhe i vodhi e varfëroi edhe gjatë izolimit”./atsh