Loading...

Hiqen kufizimet e orareve në fundjavë, por nuk lejohet dalja nga zonat e kuqe

“Duke filluar nga nesër, gjatë fundjavës e në vijim hiqen kufizimet e orareve për qytetaret dhe bizneset në zonat e kuqe dhe të gjelbra”.

Kështu informoi sot ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastriliu, e cila theksoi se “edhe këtë fundjavë, në kuadër të monitorimit të situatës dyjavore, nuk do të lejohet lëvizja nga zonat e kuqe për rezidentët e këtyre zonave”.

“Po përmbyllim javën e 12 nga fillimi i epidemisë së COVID-19 në vendin tonë. Pas disa javësh masash kufizuese të marra në kohën e duhur, pas gjithë përpjekjes tuaj për zbatimin e tyre dhe rezistencës së secilit prej jush, ja dolëm që të kemi kufizim të përhapjes së infeksionit. Edhe pse deri më sot kemi një ecuri të qëndrueshme të epidemisë, nuk duhet harruar se rihapja që ka filluar me faza para dy javësh, kërkon disiplinë dhe një sjellje individuale korrekte që i përshtatet normalitet të ri”, tha Ministrja.

Ajo tha se këto dy javë të fundit kemi vijuar punën me intensifikimin e hetimit epidemiologjik.

“Rastet e katër ditëve të fundit tregojnë vatra të reja të infeksionit, të cilat po ndiqen. Analiza e situatës deri më sot na lejon hapjen, por kjo situatë do kërkojë gjithnjë e më shumë vigjilencë, distancim fizik dhe higjienë personale”, tha Manastirliu.

Ajo tha se nëse zbatojmë masat, protokollet e sigurisë gjatë punës, në aktivitetin tonë të përditshëm, do të mundemi të ecim përpara me planin e rihapjes. Manastirliu paralajmëroi se nëse analiza epidemiologjike dhe kriteret do të na thonë se do duhet të tërhiqemi, do duhet të ngremë frenat e emergjencës.//atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com