“Emrin e Maks Velos do ta mbajë tashmë kinemaja e rindërtuar në Laprakë, e cila si për ironi të fatit lindi me emrin “Ylli i Kuq” dhe rilindi me emrin e Maks Velos, si një shembëlltyrë e vetë botës së tij, ku errësira mbushej me figura e tinguj ngjyrash, ndërsa drita me jehonë hapash të vetmuar”.
Kështu u shpreh sot Kryeministri Edi Rama, ndërsa publikoi pamje nga transformimi i ish-kinemasë “Ylli i Kuq”, që sot mban emrin e Maks Velos, arkitektit që e projektoi në vitet 1970.
“Maks Velo u nda nga kjo jetë pak kohë më parë, pas një rrugëtimi vetmitar, plot ëndrra e pasion krijues, me ambicie e inate të mëdha, shfaqje ekstravagante të lirisë individuale, si kur përfundoi në ferrin e të mallkuarve të komunizmit dhe si kur u kthye nga ai ferr në xhunglën e tranzicionit shqiptar, me të njëjtën fuqi për t’i mbijetuar dyndjes së re të barbarisë kulturore, herë si pëllumb e herë si skifter, duke lënë pas një thesar kujtimesh tek miqtë e armiqtë e tij dhe një emër të dallueshëm në historinë e artit e të kulturës shqiptare”, – theksoi Rama.
Kinema “Maks Velo” ka jo vetëm një sallë shumëfunksionale, e cila do të shërbejë për aktivitete të ndryshme si kinema, shfaqje, konventa, seminare, promovime librash, teatër, por mjediset e reja të saj u vijnë në ndihmë edhe nxënësve, që studiojnë në shkollat në Laprakë, për organizimin e aktiviteteve të ndryshme kulturore, duke përmirësuar në këtë mënyrë edhe jetën artistike të zonës, e cila deri pak vite më parë ishte lënë e harruar duke mos njohur investime nga ana e shtetit.
Ky rikonstruksion u mbështet financiarisht edhe nga qeveria shqiptare dhe ajo italiane./atsh