Buxheti total në skemën kombëtare të mbështetjes për fermerët në vitin 2020 është 6.8 milionë euro, ndërsa aplikimet do të jenë vetëm online në e-Albania nga data 29 maj, deri në 19 qershor.
Kështu deklaroi sot drejtoresha e AZHBR, Frida Krifca, në një takim me fermerët në Vlorë.
Krifca ftoi fermerët të aplikojnë që të përfitojnë për tufën bazë, bletari, zëvendësim plastmasi termik, mbjellje bimësh mjekësore dhe aromatike, mbështetje për fermat organike, certifikimin Global Gap si dhe turizëm rural.
“Aplikimet në skemën mbështetëse për bujqësinë për vitin 2020 hapen në 29 maj deri në 19 qershor, ku keni mundësinë të aplikoni për të marrë mbështetje: fermerët, blegtorët, bletërritësit, fermerët që merren me bimë mjekësore, për serrat në ndërrimin e plastmasit dhe për agroturizmin për shndërrimin e shtëpive karakteristike në bujtina. Aplikimet do të bëhen vetëm online, përmes faqes së e-Albania”, tha ajo.
Krifca tha se kjo bëhet për dy arsye. Së pari, sepse nuk mund të mbledhim njerëz në pikat e aplikimit, por edhe sepse duam që fermerët të mësohen të bëjnë aplikime online.
“Mënyra se si do të merret mbështetja në të ardhmen do të jetë përmes aplikimeve direkte online. Kur futeni në e-Albania regjistrohuni dhe pastaj ka 3 hapa të tjera për të futur të dhënat tuaja. Kërkohet vetëm një numër NIPT-i dhe karta e identitetit dhe një vetëdeklarim për llojin e mbështetjes që ju do të kërkoni në përputhje me të dhënat tuaja”, tha ajo.
Krifca tha se buxheti është 6.8 milionë euro dhe mbështetja do të jetë në kontekstin e atij që vjen i pari.
“Prandaj ju inkurajoj dhe nënvizoj faktin se është shumë e rëndësishme që aplikimi juaj të vijë shumë shpejt, të kryhet mundësisht që në datën 29 maj. Fakti që buxheti është ai që është dhe është i kufizuar do të shërbejë për aplikantët që vijnë më shpejt. Brenda 10 ditësh mbas mbylljes së thirrjes, pas datës 19 qershor, do të shpallim listat e fermerëve që kanë aplikuar dhe do të vendosim vijën e financimit deri ku është përmbushur lista në buxhet”, tha ajo.
Ndërkohë Krifca shtoi se në total, në 2019 ka financuar gjithsej 4009 projekte me një shumë prej gati 800 milionë lekësh. “Në qarkun Vlorë është dhënë një shumë prej 91 milionë lekë me 404 përfitues. Nga 2007 në 2020 janë dhënë rreth 13 miliardë lekë në qarkun Vlorë, ose rreth 100 milionë euro mbështetje direkte për fermerët”, tha ajo. /atsh