Loading...

Mbështetje për fermerët/ Krijimi i një Banke Bujqësore të Zhvillimit me fondet shtetërore

Qeveria po sheh mundësinë e krijimit të një Banke Bujqësore të Zhvillimit, me fondet shtetërore për nxitjen e kreditimit të fermerëve.

Drejtoresha e Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, Frida Krifca u shpreh se, “Qeveria po punon për zgjerimin e instrumentave që lehtësojnë rritjen e kreditimit të fermerëve. Shteti shqiptar po sheh, të krijojë mundësinë e një Banke Bujqësore Zhvillimi me fonde shtetërore”.

“Po artikulohet në tryezat vendimmarrëse kjo gjë, e cila do të ishte një zgjidhje me tej në nxitjen e kreditimit të sektorit rural”- tha Krifca, gjatë një takimi me fermerë në Lundër të Tiranës për t’i informuar mbi skemën kombëtare të mbështetjes, 2020.

Sipas saj, kontrata që ka aplikanti me AZHBR, për investimin në bujqësi, i ndihmon fermerët, ta kenë si kolateral për kredi në bankë.

Krifca theksoi se, qeveria krahas politikave për zhvillimin e qëndrueshëm afatgjatë të bujqësisë ka vënë në zbatimin edhe instrumenta të nxitjes së financimit të fermerëve, siç është fondi i garancisë me vlerë 150 milionë euro për kreditimin e bujqësisë, apo Skema Kombëtare që subvencionon drejtëpërdrejtë fermerët, krahas programit IPARD që jep grante për zhvillimin e bujqësisë në tërësi. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com