Nga e hëna 97% e aktiviteteve do jenë të hapura, përfshirë dhe lokale dhe restorantet në ambientet e jashtme, por mjeku Tritan Kalo i konsideron masat e distancimit fizik si baza e hapjes.
Në lidhje me shifrat në rritje të dy ditëve të fundit, Kalo tha se shifrat nuk thonë gjithmonë realitetin, por shifrat duhen interpretuar me kujdes.
“Hapja po bëhet graduale në të gjitha rrethe dhe siç po bëhet edhe në Tiranë nga data 18 dhe detyrimisht do të shtojë dhe rastet e kontakteve të njerëzve të pa imunizuar, pra të individëve që nuk e kanë kaluar sëmundjen dhe individëve të tjerë që mund të jenë mbartës të infeksionit, jo vetëm me të afërm të rrethit familjar, por dhe me të tjerë që kontaktojnë gjatë rrugës. Kjo shpreh dhe faktin pse janë shtuar këto raste: 18, 18, 17, ku para tri ditësh kishim vetëm 4 raste të testuar pozitivë. Është diçka e pritshme, jo e papritur. Indekset kryesore nëse gjerat nuk shkojnë si duhet, së pari është shtimi i numrit të rasteve në spital, gjë që nuk po ndodh, shtimi i rasteve të personave që kanë nevojë për trajtim intensiv, gjë e cila nuk po ndodh”.
Kalo shton se “kjo nuk do të thotë se ky optimizëm real të kthehet në një të rremë nëse njerëzit fillojnë e lëshojnë kujdesin ndaj vetes së tyre dhe fillojnë dhe neglizhojnë ato masa që mjaftë mirë i respektuan në këto dy muaj”.
Kalo tha se orari mund të jetë edhe përtej 17:30, por “njerëzit nuk duhet të lëshojnë krahët dhe të kuptojnë që jeta jetohet edhe nëse disa zakone duhen lënë në një anë”.
Në lidhje me hapjen e bareve dhe restorante, Kalo tha rreziku në mjediset e jashtme dhe të brendshme është njësoj si në rrugë nëse nuk respektohet distancimi fizik. Nëse këto rregulla do zbatohen do jetë e shpejtë dita kur njerëzit do të kalojnë në mjediset e brendshme të restoranteve”.
I pyetur nëse jemi apo jo në fund të pandemisë, Kalo tha se “kam qenë dhe mbetem se ndërgjegjësimi është pika maksimale për respektimin e rregullave. Vendet që kanë respektuar këto kritere kanë patur mundësi që sot të mos kenë asnjë të sëmurë”.
“Unë jam shumë optimist dhe jam me optimizëm real, sepse ky optimizëm niset nga mirëbesimi i respektimit të rregullave. COVID-19 pak nga pak po hyn në panelin e infeksioneve respiratorë që do të jetë i pranishëm në panelin e tyre siç është dhe gripi i derrit dhe do jetë i pranishëm në jetët tona”.
Sa i përket sezonit turistik, Kalo tha se në plazhe duhet të zbatohen rregullat siç zbatohen në jetën e përditshme. Do ketë distancime kur rrinë në rërë. Duhet bërë kujdes për higjienën”.
“Gjithë popullata jonë ka një mirëbesim. Nëse mirëbesimi shkelet, atëherë do kemi për fat të keq regres. Do të shijojmë diellin, por duhet shumë kujdes. Duhet bërë kujdes edhe për higjienën edhe për ujërat në det. Ujërat e zeza që janë në det duhet të eliminohen. Duhet bërë klorinimi i ujit në pishina. Klori i mjaftueshëm është mirë, ndërsa klori i tepërt ka pasoja”, tha ai. /atsh