Sot, në kushtet kur vendi po hapet gradualisht e shumë rajone janë tërësisht “zona të gjelbra”, mjeku i njohur Pëllumb Pipero apelon se është koha më shumë se kurrë të tregohemi të kujdesshëm për të ruajtur distancën fizike dhe higjienën e duarve, si dhe për të përdorur maskat atje ku duhet.
Në kushtet e një pandemie globale që ka shkaktuar një numër të madh viktimash në të gjithë botën, mjeku infeksionist, Pipero, në një intervistë për ATSH-në, shprehet se në vendin tonë situata është e qetë përgjithësisht dhe se rastet e shëruara gjithnjë e më shumë i afrohen rasteve të prekura në total.
“Ne kemi çdo ditë qytetarë që shërohen e dalin nga spitali, më pak të shtruar në spital, raste pozitive të ndjekura në shtëpi që negativizohen, dhe në total rastet e shëruara gjithnjë e më shumë u afrohen rasteve të prekura në total. Rastet e reja pozitive nuk janë të shoqëruara me raste të reja të shtruara në spital, apo me raste të rënda. Ne kemi një apo dy të shtruar çdo dy-tre ditë, së bashku tre indikatorë të rëndësishëm të ecurisë së epidemisë në vendin tonë. Pra një epidemi e mbajtur nën kontroll, më e buta ndoshta në rajon dhe me pak dhimbje”, thotë Pipero për ATSH.
Me një përvojë gati 40 vjeçare mbi supe, Doktor Pipero vlerëson se masat u morën në kohën më të mirë të mundshme.
“Ishin ndoshta të forta, por jo ekstreme, e mbi të gjitha me qytetarë që iu përgjigjën thirrjes së qeverisë dhe këshillave të specialistëve në mënyrë shumë qytetare dhe të përgjegjshme duke respektuar në mënyrë optimale kërkesat e distancimit social”, thotë Pipero për ATSH.
I pyetur se a rrezikojmë të bëjmë hapa pas për të mos lejuar një valë të dytë goditëse pas rasteve në rritje të të prekurve me COVID-19 në dy ditët e fundit, Pipero thotë se asnjë vend nuk është i përjashtuar nga mundësia e rikthimit të masave shtrënguese, nëse rastet pozitive shtohen dhe sidomos shoqërohen me shtim të rasteve të shtruara në spitale.
“Sot, në kushtet kur vendi po hapet gradualisht, shumë rajone janë tërësisht ‘zona të gjelbra’, është koha më shumë se kurrë të tregohemi të kujdesshëm për të ruajtur distancën fizike dhe higjienën e duarve, si dhe për të përdorur maskat atje ku duhet. Dhe këto kërkesa e këtë kujdes më shumë se kushdo e kanë në duar qytetarët, të cilët duhet të vazhdojnë të jenë të përgjegjshëm dhe të kujdesshëm si deri tani, pasi ende virusi qarkullon dhe ne ende nuk kemi një vaksinë, e cila na mbron prej tij”, deklaron Pipero për ATSH.
Ai përcjell edhe një mesazh për qytetarët në këtë situatë.
“Qytetarëve do u kërkoja me shumë përulësi të na dëgjojnë dhe pak, të kenë ende kujdes, pasi virusi është ende midis nesh dhe ne do na duhet dhe për ca kohë, jo vetëm të bashkëjetojmë me atë, por dhe ta mundim së bashku përfundimisht”, shprehet Pipero. /atsh