Çifti Kraja ka arritur të fitojë betejën e vështirë me COVID-19 dhe në shenjë falenderimi i ka bërë një dedikim shumë prekës mjekëve të spitalit Infektiv.
Çifti nga Shkodra i është drejtuar me një letër personelit mjekësor që u kujdes për ta në QSUT. Ata janë shprehur shumë mirënjohës ndaj tyre duke i falënderuar familjarisht ata bashkë me fëmijët, nipërit e mbesat e tyre, sepse bënë të mundur që të riktheheshin shëndoshë e mirë në shtëpi.
“Drejtuar personelit mjekësor të COVID-19, spitalit Infektiv QSUT. Ju urojmë nga zemra, shëndet jetë të gjatë e lumturi pa kufi me familjet tuaja. Ju ruajt Zoti. Jemi shumë mirënjohës ndaj Jush. Punë të mbarë nga familja Kraja”, thuhet në letër.
Shefja e Infektivit Najada Çomo ka dhënë lajmin e mirë për çiftin Kraja. “Dy shkodranë të fisëm fituan betejën me COVID-19, betejë shumë e vështirë, ky falënderim vlen shumë për gjithë stafin e shërbimit infektiv. Mirënjohje çifti Kraja për këtë dedikim të ndjerë”, është shprehur Çomo./atsh