Loading...

“Asgjë për t’u shqetësuar nga shtimi i rasteve”/Kalo: Janë kontakte me të sëmurët e mëparshëm, vetëndërgjegjësimi i qytetarëve arma për mposhtjen e COVID-19

Rastet e regjistruara sot nuk janë vatra të reja, por raste të kontakteve të mëparshme. Me rëndësi është ndërgjegjësimi i qytetarëve për respektimin e masave.

Kështu deklaroi mjeku Tritan Kalo, gjatë një interviste televizive sot, ku theksoi se, lehtësimi i masave dhe rritja e lëvizjes së popullatës e bën të pritshme shtimin e rasteve.

“Nuk janë raste të vatrave të reja, por janë kontakte me të sëmurët e mëparshëm. Kjo e bën të nevojshme që të ruajmë distancën fizike. Pra, kjo hapja dhe kjo lëvizja bën që njerëzit t’i nënvlerësojnë masat e distancimit fizik dhe kjo bën detyrimisht të shtohet numri. Kemi mbi 13 ditë që nuk kemi asnjë viktimë nga kjo sëmundje dhe këto parametra po përpiqemi t’i ruajmë. Faktori kryesor është sjellja e qytetarëve”,- tha ai.

“Gjatë këtyre ditëve po, do ketë rritje dhe pastaj shpresoj të rikthehet aty ku ishim në ditët e fundit. Mbi të gjitha, me rëndësi mbetet vetëndërgjegjësimi i popullatës për mbarëvajtjen e kësaj pandemie në vendin tonë”, – shtoi Kalo.

Ai pasqyroi dhe situatën në dy spitalet COVID. “Në të dy strukturat janë në terapi intensive tre persona jo të intubuar, por që kanë nevojë për asistencë. Jemi të lehtësuar për dy gjëra. E para, se ka më shumë jetë njerëzish të shpëtuar, ne vetë ndjehemi më të lehtësuar, sepse është lehtësuar barra. Personat më të rrezikuar në të gjithë botën është personeli mjekësor”, – tha Kalo.

“Unë e kam thënë, se mundësia është se ajo që nuk është bërë ligjore është bërë faktike nga popullata. Deri sa një gjë e tillë është bërë fakt i kryer dhe kjo është e mirë që të pranohet, por mbyllja brenda zonave është e mirë që të vijojë për ca kohë, sepse akoma kemi një numër të madh personash aktivë në Tiranë, Krujë dhe në Shkodër”, – tha ai.

Doktor Kalo u shpreh se virusi do të rishfaqet në vjeshtë, ashtu siç rikthehen infeksionet e tjera. “Unë po e shpreh tek ju, nuk është hera e parë që e kam thënë. Nuk bëhet fjalë për rikthim, por rishfaqje sepse infeksioni nuk do të zhduket. Në vjeshtë bashkë me kthimin e infeksioneve të tjera, detyrimisht një pjesë e infeksioneve do shfaqen, dhe midis tyre do të ketë të sëmurë nga COVID-19”, – theksoi ai.

“Pakënaqësia ime lidhet me dy probleme kryesore: Së pari, për shkeljen dhe mosndërgjegjësimin qytetar, i cili çalon. Një popullatë që është aktive nuk ka pse të bëhet pre e infeksionit të tillë. Nuk kemi njerëz për të humbur. E dyta, ajo që më shqetëson është politizimi i gjërave të pavlefshme. Nuk bëhet politikë me sëmundjen, me të vdekurit, me pandeminë. Politika bëhet me politika shëndetësore, me përmirësimin e sistemit shëndetësor. Një popullatë e shëndoshë tregon vitalitetin e një kombi në të ardhmen”, – përfundoi ai. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com