Loading...

Reagimi i AKSHI-t për vjedhjen e të dhënave: e-Albania ura e vetme e komunikimit të shtetit me qytetarin, informacionet në regjistrat shtetërore

Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit ka reaguar pas një shkrimi të publikuar në një nga mediat e përditshme për grabitjen e të dhënave të qytetarëve përmes e-Albania.

Në reagimin zyrtar, AKSHI thekson se, “kjo platformë elektronike përdoret edhe në vende të zhvilluara si Estonia, Gjeorgia, ku të dhënat e përdoruesve janë të sigurta.

Platforma e-Albania është kanali kryesor i marrjes së shërbimeve publike online për qytetarët, bizneset dhe punonjësit e administratës publike. Dhe si çdo portal tjetër qeveritar, që ofron shërbime publike online në shtete të zhvilluara si Estonia, Gjeorgja apo kudo në botë, e-Albania përdor regjistrimin dhe autentifikimin e sigurt të të dhënave të përdoruesve. Të dhënat e plotësuara nga përdoruesit, gjatë procesit të regjistrimit në portalin e-Albania verifikohen automatikisht me të dhënat e Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile për individët dhe Regjistrit Kombëtar Tregtar për bizneset, aty ku ruhen në të vërtetë këto të dhëna.

Platforma funksionon duke bërë kryqëzimin e regjistrave me njëri-tjetrin për të dhënë një dokument të caktuar, pa e përpunuar informacionin dhe pa e ruajtur atë. Rrjedhimisht, sa herë përdoret një shërbim nga biznesi apo qytetari, e-Albania kryqëzon sërish regjistrat për të dhënë dokumentin me të dhënat në atë moment. Pra, besimi i qytetarëve apo bizneseve është drejt regjistrave në institucionet përkatëse dhe e-Albania thjesht sa ua ka bërë më të lehtë punën, sidomos në këtë kohë pandemie. Mjafton të përmendim një fakt: Vetëm në muajin prill në portal ka patur mbi 15 milionë vizita.

Brenda 2020-s, e-Albania do të jetë ura e vetme e komunikimit të shtetit me qytetarët e tij, pasi 90% e shërbimeve publike do të ofrohen vetëm online. Dhe e gjitha kjo lidhet me projektin e dixhitalizimit të shërbimeve publike, për të shmangur kostot, radhët dhe burokracitë e panevojshme”./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com