196 automjete të reja i janë shtuar flotës së Policisë së Shtetit.
Kryeministri Edi Rama, ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj dhe ambasadori i Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, Luigi Soreca, ishin sot në sheshin “Nënë Tereza”, në Tiranë, në prezantimin e flotës së re të automjeteve të Policisë së Shtetit.
Kryeministri theksoi se “vijon procesi i modernizimit të flotës së mjeteve të Policisë së Shtetit, e cila po dëshmon përditë dobinë e transformimit të thellë ku ka hyrë gjatë viteve të fundit, duke qenë gjithnjë e më shumë në lartësinë e pritshmërisë qytetare ndaj saj”.
“Shumë faleminderit për bashkëpunimin dhe kontributin. Ky kontribut i përbashkët financiar, ku pa diskutim kontributi i BE-së është një pjesë e konsiderueshme, përveç kontributit të qeverisë, është një shprehje e qartë e faktit që së bashku ne po e transformojmë rrënjësisht vendin dhe Policinë e Shtetit në mënyrë të veçantë”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se “disa vite më parë, jo shumë vite më parë, kjo ishte e paimagjinueshme”.
“Policia e Shtetit që ne gjetëm ishte në një gjendje të mjerë. Flota motorike e Policisë së Shtetit ishte qesharake, ndërkohë që sot ne i japim të gjithë punonjësve të Policisë një fuqi të re motorike, dhe sidomos Forcave Speciale një flotë të tërë mjetesh, që do të mundësojnë kushte optimale operacionesh, që janë edhe operacionet më speciale dhe të rrezikshme për ta”, tha Rama.
Ai theksoi se “këtu nuk mbaron, por këtu fillon një hap i rëndësishëm i modernizimit”. “Tanimë ne duam të shkojmë më tutje me rritjen e kapaciteteve teknologjike të Policisë së Shtetit, të kapaciteteve dixhitale, futjen e mjeteve më të sofistikuar si dronët e fjalës së fundit e me radhë”, tha Rama. /atsh