Skënder Brataj, drejtor i Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore u shpreh se, ekipet e mjekëve vijojnë kontrollin e situatës shëndetësore të të prekurve nga COVID-19, ndërsa është fakt rënia e ndjeshme e numrit të thirrjeve drejt 127 të Urgjencës Kombëtare.
Gjatë takimit online të Komitetit Teknik të Ekspertëve për situatën e COVID-19, ai tha se “janë kryer 222 mijë thirrje nga 9 mars deri më sot, me një mesatare mbi 4 800 thirrje telefonike në ditë, ndërsa në ditën e sotme kemi 2 035 thirrje telefonike. Po ashtu edhe numri i thirrjeve drejt numrit 08000 është ulur ndjeshëm”.
Fakt tjetër tha ai, “është ulja e numrit të vizitave në përgjithësi. Kemi arritur në 300 vizita nga 600 dhe pozitive është fakti që të sëmurët që janë konfirmuar COVID-19 por kanë simptoma të lehta kërkojnë që të trajtohen në banesë dhe jo në spital. Transportohen në spital vetëm kur ka përkeqësim të situatës, vështirësi në frymëmarrje dhe që kanë nevojë për oksigjen. Pra qytetarët janë sensibilizuar dhe pjesa më e madhe e qytetarëve që janë asimptomatikë mjekohen në shtëpi me medikamente”.
Brataj konfirmoi se situata është në kontroll.
Brataj informoi se, “janë dy autoambulanca në dispozicion të sëmurëve me COVID-19 për Tiranën dhe 5 të tjera me respiratorë që për fat janë përdorur shumë pak”./atsh