Ilir Alimehmeti, mjek epidemiolog klinik dhe njëkohësisht lektor në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Mjekësisë, në Tiranë, vlerësoi sot se pavarësisht lehtësimit të masave rastet janë minimale ç’ka sjell shpresë.
Në një intervistë për mediet, Alimehmeti theksoi se jetës normale do t’i kthehemi shumë më shpejt se sa të prodhohet vaksina, edhe pse prodhimi i saj mund të ketë nevojë për të paktën 1-2 vite dhe efikasiteti i saj mbetet ende për t’u vërtetuar pasi të dalë.
Ndërkohë, sipas tij, një përqindje e lartë e popullatës do të jetë natyrisht e imunizuar nga virusi.
Ai u shpreh se “situata në Shqipëri fatmirësisht ka qenë vazhdimisht shumë e butë dhe me ecuri pothuajse të rrafshët”. “Tashmë u bënë disa javë kur rastet janë minimale, me përjashtim të situatës së krijuar në fasonerinë e Krujës që përfshiu edhe Kurbinin dhe në burgjet e Tiranës. Rastet komunitare kanë qëndruar vazhdimisht në nivele minimale. Në këtë situatë është patjetër jo vetëm e këshillueshme, por e domosdoshme të lirohen masat për të lejuar aktivitetin sa më normal të shoqërisë, gjithnjë duke e vlerësuar në dinamikë situatën”, tha ai.
Për sa u përket këshillave, ai tha se ato janë këshillat bazë e të përhershme si higjienë sa më e mirë personale dhe ambientale, si edhe njëfarë distance sigurie nga personat e panjohur apo të sëmurë.
Dorezat, sipas Alimehmetit nuk kanë asnjë dobi, madje shumë studime kanë treguar se mbajtja e tyre shoqërohet me dëme jo vetëm të lëkurës, por edhe të transmetimit të koronavirusit përmes dukurisë së njohur si “ndotja e ndërmjetësuar”.
“Maskat kanë efekt në komunitet vetëm nëse mbajtësi i maskës është vetë i sëmurë. Në rast se personi është i shëndetshëm, maska nuk shërben. Gjithashtu, maska këshillohet për personat që punojnë në kontakt me shumë persona, si punonjësit e marketeve, sportelistët etj. Megjithatë, evidencat mbi maskat janë ende të paqarta, ndryshe nga dorezat ku këshilla është mospërdorimi i tyre. Grupimet mbi 50 veta janë qartësisht element që duhet shmangur, ndërkohë që nuk ka evidenca të qarta për grupimet më të vogla se ky numër. Por, për të qëndruar në anën e sigurt të shëndetit, le të themi që grupimet duhet të jenë jo më të mëdha se 5-10 persona. Si përfundim, për evitimin e një vale tjetër mjafton higjiena dhe njëfarë distance e shëndetshme, pa shkuar në kushte paniku”, tha ai.
Pa asnjë diskutim, sipas Alimehmetit, “imuniteti i njeriut është arma më e mirë dhe më efikase kundër virusit. Dhe në fakt e kemi vënë re që të gjithë personat me imunitet normal nuk kanë pasur problem në kalimin e sëmundjes”.
Ndërkohë ai vlerësoi se testet serologjike janë kyçe për të kuptuar shtrirjen e vërtetë të sëmundjes në popullatë. /atsh