Një tërmet me magnitudë 6,0 ballë të shkallës Rihter goditi sot brigjet e Kretës, njoftoi Observatori gjeodinamik i Athinës, pa shkaktuar as viktima e as dëme, sipas informacioneve të para nga autoritetet lokale.
“Tërmeti ndodhi në orën lokale 15:51 (12:51 GMT). Epiqendra e tij u lokalizua 55 kilometra nga brigjet e qytetit Ierapetra, në jug të ishullit dhe 424 kilometra në jug të Athinës”, sipas një komunikate të Observatorit të Athinës.
Sipas Institutit gjeodinamik të Observatorit Kombëtar të Athinës, thellësia e tërmetit ishte 19 kilometra.
Instituti europian i gjeodinamikës deklaroi se tërmeti ishte i një magnitude gjashtë ballë të shkallës Rihter dhe me epiqendër 90 kilometra në jug të Ierapetras.
Deri tani nuk ka informacione për viktima apo dëme materiale./atsh