Loading...

Shqipëria ka hapur aktivitetin ekonomik më shumë se vende të tjera

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se Shqipëria është një ndër vendet e pakta që ka lejuar rihapjen e aktivitetit ekonomik.

“Kemi hapur aktivitetin ekonomik më shumë se sa shumë vende të tjera. Vetëm një pjesë e vogël e njerëzve nuk e kanë ende të mundur të shkojnë në punë. Në Itali nuk lëvizet ende nga një komunë në një tjetër dhe në Greqi, nuk lëvizet dot nga një prefekturë në tjetrën”, u shpreh Rama.

Kryeministri informoi më tej se edhe në bisedat e zhvilluara me kolegë kryeministra në Europë ka dilema dhe paraqitet e njëjta vështirësi në raport me vendimmarrjen.

“Kam folur sot me kryeministren e Danimarkës, gjerë e gjatë, e prapë e prapë, njësoj si në të tëra bisedat me miq e kolegë kryeministra nëpër Europë, e njëjta gjë. Të njëjtat dilema. Dhe e njëjta vështirësi në raport me vendimmarrjen, sepse në fund të ditës, nëse lufta merr për keq, përgjegjësinë e mbajmë ne, liderët, nuk e mban askush nga ata që nuk duan të kuptojnë, po vetëm të fantazojnë e të mallkojnë“, u shpreh Rama.

Ministrja e Shëndetësisë informoi për masat e reja lehtësuese, për zgjerimin e zonave të gjelbërta, për hapjen e aktiviteteve të tjera, më 4, 11 dhe 18 maj si dhe për lehtësimin e mëtejshëm të riatdhesimit.

Lidhur me këtë, Kryeministri apeloi qytetarët të zbatojnë rregullat, pasi theksoi ai, këtu nuk luhet me zjarrin, këtu nuk vihen baste, këtu nuk bëhet me hajt ta shofim të dali ku të dali.

“Këtu nuk mjaftojnë as ligjet, as Kodi Penal, as policia e as kontrollet, nëse nuk jeni ju, të gjithë roje të shëndetit tuaj e të familjes suaj”, theksoi Kryeministri./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com