Bukuritë dhe magjitë që natyra i ka falur Parkut Kombëtar Detar Karaburun-Sazan e kanë kthyer atë në një nga destinacionet më të bukura turistike në vend, ku çdo vit vizitohet mijëra turistë.
Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, e cilëson ato një pasuri natyrore që ndihmon vendin tonë në kultivimin e një turizmi të qëndrueshëm.
“Parku Kombëtarë Detar, Sazan-Karaburun është një pasuri natyrore e të gjithëve, na ndihmoni ta ruajmë dhe të zhvillojmë turizëm të qëndrueshëm. Ju keni nevojë për parkun, aq sa edhe ai ka nevojë për ty sot…”, – nënvizoi Klosi.
I shpallur në vitin 2010 Parku Kombëtar Detar Karaburun-Sazan, është i vetmi park detar kombëtar i Shqipërisë. Parku ofron atraksione të shumta natyrore, kulturore, historike dhe turistike. Zona mund të vizitohet nëpërmjet udhëtimeve ditore që zhvillojnë operatorët turistik që nisen nga porti i Vlorës. Kjo ofron mundësi reale për të vizituar parkun dhe ofruar një dite ndryshe ne gjirin e Vlorës.
Mjafton këtu të kujtojmë monumentin e natyrës, Shpellën e Haxhi Alisë (atraksioni me i vizituar nga turistët), gjiri natyror dhe kulturor i Gramës (skaji më i largët jugor i parkut detar), ishullin e Sazanit dhe falezat e tij si atraksioni më i madh që prej hapjes së tij për publikun. Për të gjithë ata që dëshirojnë të kalojnë momente relaksi në natyrën dhe qetësinë, parku detar ofron me brigjet e tij të Shën Vasilit, Shën Janit, Gjirit të Djallit, eksperiencë natyrore unike.
Në hapësirat e gadishullit të Karaburunit, në fund, aty ku bashkohet me luginën e Dukatit gjendet Kisha e Marmiroit, ndërsa në faqen jugore, në lartësinë 400 m, në vendin e quajtur Petrunë, gjendet një shpellë shumë e bukur, që quhet Shpella e Dukë Gjonit. Për të gjithë të apasionuarit e zhytjes ofrohen shtigje nënujore për të parë botën unike dhe pasuritë nënujore. /atsh