Loading...

Manastriliu: Hapja graduale duke zbatuar protokollet e sigurisë, 14 ditë për secilën fazë

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu deklaroi se në fazën aktuale që ndodhet Shqipëria, pra ajo e hapjes duhet të jemi të kujdesshëm pasi virusi nuk është larguar ende.

Në një lidhje direkte në një nga mediet e vendit, Manastirliu u shpreh se “është e vërtetë që ne kemi hyrë në fazën e parë të hapjes së kujdesshme dhe shumë graduale. Nga dita e sotme kemi hapur disa kategori biznesi dhe gjithashtu kemi zgjeruar fashën orare të lëvizjes së qytetarëve, nga 90 minuta në 2 orë. Duhet të themi që kemi filluar një hapje të kujdesshme të masave, pasi Komiteti i Ekspertëve i atashuar pranë Ministrisë së Shëndetësisë, gjithashtu i ISHP-së ka realizuar një strategji të hapjes me faza, sa i përket rihapjes jo vetëm në aspektin ekonomik, por edhe në aspektin social dhe ka vlerësuar 4 faza të rihapjes së aktiviteteve dhe në bazë të kritereve të vendosura nga Komiteti Teknik, bazuar në kurbën biologjike, në numrin e të shtruarve në spital dhe në rastet e rënda që trajtohen janë vlerësuar disa faza të hapjes. Ne kemi kriteret e secilës fazë, kemi vlerësuar riskun për secilën. Tre kriteret kyçe për të cilën ua përmenda lidhet me kurbën epidemiologjike. Kjo do të thotë se raste pozitive klasifikohen në disa aspekte, kjo do të thotë se nëse ne do të kemi në fazën e parë ku risku është edhe më i ulët, mbi 15 raste pozitive në ditë për mbi një mesatare të rasteve që është 15 raste të reja në ditë, atëherë ne do të themi që do të vijojmë më fazën e dytë të hapjes. Nëse numri do të rritet mbi një mesatare atëherë nuk do të kalojmë në fazën e dytë të hapjes por do të ngremë frenat e emergjencës, që do të thotë do të kthehemi në masat e mëparshme”.

Më tej, ajo theksoi se “do vijojmë testimet si kemi bërë deri më sot, duke gjurmuar të gjitha rastet kontaktet e tyre të para, të dyta e të treta. Është shumë i rëndësishëm në këtë fazë hetimi “agresiv”, pra hetimi për çdo rast të dyshuar dhe rastet e tjera janë asimpotimatikë por kanë lidhje me rastet që identifikohen në terren. Shumë e nevojshme strategjia e testimit që është duke u kryer e hartuar nga ekspertët të vijojë me të njëjtën intensitet në terren sidomos në këto faza, pra në fazën e hapjes që po ndodh”.

Secila hapje sipas saj, do të ketë një periudhë 14-ditore vlerësimi aq sa është faza e virusit.

“Bizneset që nuk respektojnë masat do kenë nga gjoba deri në mbyllje të veprimtarisë dhe edhe ndjekje penale nëse do ketë përsëritje, nuk është asnjëra nga këto qëllim në vetvete, por vendosja e masave për të mbrojtur shëndetin e qytetarëve. Të gjithë qytetarët dhe bizneset duhet të tregojnë përgjegjësi maksimale dhe çdo lehtësim tjetër do të vijë nga veprimet e tyre’. –tha ajo.

Më tej, ministrja shtoi se “situata është dinamike. Nuk ka vend për të mos qenë të shqetësuar se virusi iku dhe hajde tani të bëjmë plazh. Unë po e them sepse jo sepse nuk mendoj apo nuk jemi duke planifikuar por duke parë se çfarë po bën rajoni dhe çfarë do të kemi si alternativë këtë vit. Secili shtet ka specifikën e vet. Mal i Zi nuk ka qenë aq i prekur në numra në raport me Shqipërinë, që ka patur një efekt shumë të madh nga Italia, nga të gjitha rastet e importuara që na kanë ardhur. Por duhet të kuptojmë diçka, rreziku nuk ka kaluar prandaj duhet të jemi shumë të kujdesshëm qoftë përsa i përket hapjes, qoftë sa i përket plazhet dhe turizmit, nuk do të kemi turizmin klasik por do të vlerësojmë hap pas hapi në dinamikë se çfarë opsionesh do të krijohen. Nuk jemi dhe nuk po jetojmë në normalitet, po jetojmë në një situatë të jashtëzakonshme”./atsh

“Fakti që sot në spitale në nuk kemi mbingarkesë apo kemi një relaksim në situatën e spitaleve krahasuar me ngarkesën që do të kishim, i dedikohet masave që ndërmorri qeveria. Nëse ne nuk do të kishim marrë ato masa në ditën 1 dhe ky është faktori kyç, ne sot jo vetëm do të kishim spitale të përmbytura nga qytetarët që ishin në nevojë për trajtim mjekësor dhe kjo ishte eksperienca që kanë kaluar edhe vendet e zhvilluara me sisteme shëndetësor shumë të zhvilluar”, përfundoi ministrja

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com