Nëse teatrin nuk e ndjekim dot nga salla këto kohë, atëherë zini vendin më të mirë në shtëpinë tuaj dhe rehatohuni për të parë shfaqjen.
Teatri Metropol vjen çdo fundjavë në çdo shtëpi, për të gjithë familjen. Në bashkëpunim me RTSH Radio Televizioni Shqiptar, Teatri Metropol do të sjellë teatrin në shtëpi.
Çdo fundjavë, artdashësit do të kenë mundësi të ndjekin online disa shfaqje të përzgjedhura, falas në kanalin e Teatrit Metropol në Youtube. Sot do të nisin dy shfaqjet e para “Rrajët lëvizin” e bazuar në veprën e Ernest Koliqit dhe regji nga Rozi Kostani, sjellë në skenë në festivalin e dramës shqipe “MetroFest” në Teatri Metropol – Qendra Kulturore Tirana.
Ndërkaq ditën e diel, në orën 11:00 për fëmijët do të transmetohet shfaqja, “Tullumbaci i kuq” e me autor Barry Kornhauser me regji nga Roerd Toçe dhe interpretim nga Erdet Miraka.
Shfaqja e fëmijëve “Tullumbaci i kuq” e shkruar nga Barry Kornhauser, vepra vjen këtë fundjavë në analin e Teatrit Metropol në youtube për spektatorin e vogël. Kjo shfaqje teatrale e cila flet për një burrë dhe një tullumbace të kuqe vjen në skenë jo nëpërmjet fjalës por nëpërmjet pantomimës, gjatë së cilës përcjell një sërë emocionesh te publiku.
Personazhi i vetëm njerëzor në këtë shfaqje është Plaku, i cili nuk flet më, pasi nuk ka me kë të flas. Ngjarja zhvillohet në apartamentin minimalist dhe dëshpërues të Plakut në Paris. Ai mund të mos ketë harruar si të flasë, por ka harruar si të luajë. Jeta e tij është e qetë dhe e trishtë dhe ai e ka pranuar këtë mënyrë jetese.
Trishtimi në hapat e tij të rëndë janë në kontrast të plotë me karakterin e tullumbaces, e cila është energjike, plot gjallëri, e shkujdesur dhe mjaft lozonjare. Të gjitha këto mjaftojnë për ta thyer ngurtësinë e Plakut. Kjo shfaqje flet për rizbulimin e ndjesisë së lojës dhe gëzimit./atsh