Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla tha sot se “gjatë këtyre 6 javëve në Shqipëri përveç luftës me armikun e padukshëm, ka edhe një betejë me panikun që tentuan të përhapin përfaqësues politikanë tipikë të së keqes”.
“Në fillim kundërshtonin përdorimin e mjeteve të komunikimit në apelin për të qëndruar në shtëpi e ruajtur higjienën. Konferenca për shtyp nga divani e postime pa fund pse Kryeministri u kërkon njerëzve qëndroni në shtëpi e pse u thotë lani duart. Më pas filloi histeria e testeve masive, e që u rrëzua nga OBSH”, tha Balla.
Ai theksoi se “vetëasgjesimi i çdo norme njerëzore brenda opozitës rrugore degradoi në akuza për “fshehjen” e vdekjeve dhe pasojave të epidemisë”.
“Një betejë e palogjikshme dhe pa asnjë argument, por vetëm si një alternativë kundër stabilizimit të kurbës”, tha Balla.
Tani mesa duket, vijoi ai, “vetë kasandrat e opozitës, kanë pranuar që dështuan në fazën e parë dhe kanë nisur një betejë të re, atë të përhapjes së panikut ekonomik dhe social me të cilin do të përballemi”.
“Eshtë një ish-deputete e Partisë Demokratike që është bërë e njohur në publik vetëm si “kasandër”. E ka nisur tek Unaza e Re, kur shpikte të vdekur nga ndërhyrja e policisë, ka vazhduar në Durrës me tërmetin dhe është shfaqur rregullisht gjatë epidemisë, si lajmëtare vdekjesh dhe vuajtesh të mëdha. Për turp mundohen të përdorin këtë flamë të paparë si koronavirusi, par të shpërndarë panik, nxitur ankth, kërkuar rrëmujë, apo demoralizuar mjekët dhe infermieret”, deklaroi Balla, duke iu referuar deklaratave të ish deputetes demokrate Orjola Pampuri./atsh