Shqiptarja nga Vlora, Etleva Veizaj, e cila prej 20 vitesh jeton në qytetin e Ferentinos, Lazio, ka dhënë ndihmën e saj, duke qepur dhe dhuruar 600 maska për ata që kanë nevojë.
Me përhapjen e shpejt të koronavirusit në shtetin fqinj, Itali, shumë shqiptarë janë përfshirë në nisma të ndryshme për të ndihmuar në komunitet.
Veizaj tregon se mori këtë iniciativë pasi pa që njerëzit në qytetin e saj, po përballeshin me mungesë të maskave, në një kohë kur ato janë kthyer në domosdoshmëri jetike për secilin nga ne.
“Ideja për këtë iniciativë erdhi pasi pashë njerëzit në rrugë pa maska dhe mamaja ime më tha që mund të fillosh dhe ti qepësh maska për njerëzit të cilët kanë nevojë dhe t’i shpërndash ato”, shprehet ajo për gazetën “Diaspora Shqiptare”.
Për vetëm një muaj Veizaj ka qepur mbi 600 maska, të cilat jua ka shpërndarë qytetarëve shqiptaro-italian si dhe qendrave të mbrojtjes civile dhe asistencave sociale në Ferentino.
Maskat e saj janë të punuar nga dy shtresa, me copa të pëlhurës dhe pambukut, ato mund të lahen dhe të dezinfektohen ndërsa tregon se brenda 4 orëve ka arritur të qepë deri në 30 maska.
Veizaj, me dëshirën që ka për për të kontribuar gjithnjë në komunitet, është e angazhuar edhe si vullnetare pranë shoqatës “AIRC” në ndihmë të njerëzve me sëmundje tumoriale.
“Më pëlqen të ndihmojë njerëzit që janë në nevojë, kjo është pasuri më e madhe që mund të bëjmë”, tha ajo.