Rruga e lumit të Vlorës do të jetë një ndër rrugët turistike më panoramike të Shqipërisë.
Kryeministri Edi Rama bëri të ditur sot se në këtë rrugë ka nisur puna për segmentin e fundit.
“Nis puna edhe në segmentin e fundit të rrugës së lumit të Vlorës. Me mbylljen e këtij segmenti merr jetë një ndër rrugët turistike më panoramike të Shqipërisë”, – thekson Rama.
Rruga e Lumit të Vlorës siguron lidhjen të më shumë se 60 fshatrave të zonës, me popullsi mbi 40 mijë banorë me qytetin e Vlorës.
Rruga e Lumit të Vlorës do të mundësojë lidhjen e dy rrugëve nacionale si dhe përfshin edhe një degëzim që mundëson lidhjen me qytetin e Vlorës.
Këto fshatra do të trajtohen si qendra urbane, pasi në to do të ketë dhe punime civile si ndriçim, trotuare, elementë të sigurisë rrugore dhe vendkalim për këmbësorë.
Tashmë do të krijohet një lidhje e plotë midis fshatrave të Vlorës dhe jo vetëm. Kjo e fundit do të lidhet me Himarën si dhe për banorët e Gjirokastrës dhe Tepelenës, dalje më e shpejtë në bregdet.
Ky projekt pritet të ketë një impakt të drejtpërdrejtë në sektorin e bujqësisë, blegtorisë dhe turizmit, duke ndihmuar banorët për tregtim të produkteve në tregjet e qyteteve kryesore, në transport si dhe në qarkullimin e shpeshtë të automjeteve dhe vizitorëve përgjatë rrugës.//atsh