Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste njëherësh kryetar i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla deklaroi sot në lidhje televizive se Shqipëria është vendi i dytë në Europë që mori masa të rrepta të menjëhershme, ndërsa në asnjë vend sipas tij, nuk është parë ende një operacion humanitar në ndihmë të familjeve në nevojë sikurse po ndodh sot në Shqipëri.
Teksa falënderoi punonjësit e shërbimit epidemiologjik që po bëjnë gjurmimin e personave të prekur nga COVID, shtyrja e situatës së fatkeqësisë natyrore nga ana e qeverisë, sipas tij, është domosdoshmëri.
“Ne jemi ende në një situatë lufte me një armik të padukshëm i cili nuk arriti të na mposhte sikurse ka bërë me shumë në vende të tjera, përsëri vazhdojmë të kemi persona që identifikohen nga puna e përditshme heroike e shërbimit epidemiologjik në të gjithë territorin, ku gjej rastin t’i falënderoj të gjithë punonjësit e palodhur të shërbimit epidemiologjik nga veriu në jug, në çdo vatër dhe në çdo derë për të identifikuar personat që mbartin virusin vrasës. Duhet të kuptojmë që shtyrja e situatës së gjendjes së fatkeqësisë natyrore është padyshim një domosdoshmëri në kushtet që jo vetëm që ende kemi raste që shfaqen, bie dakord me konstatimin që ne e kemi kaluar fazën e parë të një emergjence akute, por duhet të kuptojmë që në situatën që jemi çdo gabim i vogël mund të na kthejë në ditët e fillimit të kësaj lufte”, u shpreh ai.
Sipas Ballës, një gabim i vogël pas lehtësive të krijuara nga qeveria në lëvizje, mund të na kushtojë rikthimin në masat shtrënguese.
“Qeveria shqiptare bën pjesë në atë grup të madh vendesh që kanë respektuar rekomandimet e OBSH-së si organizata më e madhe që bashkon të gjitha vendet anëtarë në kuadër të Kombeve të Bashkuara, ka ekspertizën e domosdoshme dhe ka qenë konservatore sa i përket masave shtrënguese. Në këtë kuptim, qeveria shqiptare ishte ndër qeveritë e para që mori masa të rrepta shtrënguese. Kujtojmë këtu, që në ditën e parë u pezulluan shkollat. Në Europë kemi qenë qeveria e dytë që morëm masa për pezullimin e plotë të shkollave edhe pse kishim vetëm 2 raste të konstatuara në ditën e parë të kësaj lufte. Të gjitha këto masa kanë treguar që ne kemi arritur ta mbajmë nën kontroll betejën me këtë armik të padukshëm dhe që kjo betejë të përfundojë në favorin e jetës së njerëzve sepse në fund të fundit çdo jetë është e domosdoshme dhe gjëja më e rëndësishme që na intereson në këtë betejë. Gjithçka mund të rikuperohet mbrapa, ekonomia, vendet e punës mund të gjendet përsëri por jetët e njerëzve nuk mund të kthehen mbrapsht. Në këto kushte, ne do të vazhdojmë të jemi në kushtet e një fatkeqësie natyrore e cila imponon disa detyrime ndaj shtetit”, u shpreh ai.
“Nuk ka ngjashmëri me vende të tjera një operacion humanitar i këtyre përmasave që ka garantuar që me kujdes të veçantë, për të mos kthyer operacionin në një vatër të shpërndarjes së virusit vrasës kemi arritur të shërbejmë më shumë se dyqind e njëzet mijë familjeve shqiptare shumë në nevojë sikurse një numër të madh të pensionistëve të vetmuar jo vetëm me pako ushqimore por edhe me furnizime të tjera të nevojshme sikurse janë ilaçet ndërkohë që vazhdon që posta shqiptarë të kryejë me përpikëri shpërndarjen e pensioneve në banesa”, tha Balla./atsh