Policia e Shtetit njofton se Operacioni Forca e Ligjit vijon me veprime konkrete në terren.
Policia e Shtetit bëri të ditur sot se është vendosur sekuestro në kushtet e emergjencës, për 9 automjete.
Policia njofton gjithashtu se është vendosur sekuestro edhe për një pasaportë, për moslejimin e daljes jashtë shtetit të poseduesit të saj.
“Në zbatim të ligjit special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar, Operacioni Forca e Ligjit, në zbatim të Aktit Normativ Nr. 1, datë 31.01.2020, bazuar në Nenin Nr. 19 “Sekuestrimi i pasurisë nga Policia e Shtetit në rastet e emergjencës”, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka nxjerrë urdhrat e sekuestrimit për 9 automjete dhe një pasaportë dhe konkretisht:Tre automjete autovetura në pronësi të shtetasit E. D., banues në Farkë, Tiranë;Automjeti fuoristradë në pronësi të shtetasit G. K., banues në Maqellarë, Dibër; Automjeti Audia A6, në pronësi të shtetases V. H., banuese në Korçë; Automjeti në pronësi të shtetases L. M., banuese në Lezhë; Automjeti në pronësi të shtetasit A. G., banues në Gjirokastër; Automjeti në pronësi të shtetases E. K., banuese në Gjirokastër; Automjeti në pronësi të shtetases L. K., banuese në Gjirokastër;”,- njofton policia.
“Gjithashtu, bazuar në Nenin Nr. 11 për “Masat parandaluese personale në raste emergjencës”, i është bërë bllokimi i pasaportës dhe i është ndaluar dalja jashtë shtetit, për një afat 6-mujor, një shtetasi, banues në Lezhë. Me vendosjen e kësaj mase sekuestroje, automjetet i kalojnë në administrim Agjencisë së Administrimit të Aseteve dhe dosjet pasurore të këtyre personave do t’i kalojnë SPAK-ut, për veprime të mëtejshme”,- thekson Policia.
“Gjatë kësaj periudhe, OFL nuk ka ndërprerë asnjë ditë punën, por ka vijuar me veprime për kompletimin e dosjeve hetimore të shtetasve që janë subjekt i OFL-së. Policia e Shtetit, nëpërmjet strukturës së posaçme OFL, është e vendosur që në bashkëpunim me SPAK-un dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese, brenda dhe jashtë vendit ta çojë deri në fund këtë operacion jetik, me interes të madh kombëtar e ndërkombëtar.”,- përfundon njoftimi i Policisë. /atsh