“Ecuria e deritanishme e epidemisë e lejon Kryeministrin Edi Rama dhe qeverinë të lejojë lirimin e masave shtrënguese”.
Kështu deklaroi sot në një intervistë televizive mjeku i njohur infeksionist Pëllumb Pipero.
“Mendoj se fundi i prillit dhe fillimi i majit na gjen shumë më të lehtësuar edhe nga sa tha Kryeministri jo vetëm lëvizjen e qytetarëve, por edhe gjallërinë e ekonomisë, por duke mos humbur në asnjë moment vigjilencën, sidomos nga bluzat e bardha dhe epidemiologët për të gjurmuar çdo rast të dyshimtë për të parandaluar krijimin e vatrave të reja”, – theksoi Pipero.
Pipero u shpreh se “jam dakord dhe mbështes masat e qeverisë për lehtësimin dhe gjallërimin e jetës qytetare dhe të ekonomisë. Është ende e nevojshme që të moshuarit dhe të sëmurët kronikë të jenë më të kufizuar përtej 4 majit me të tjerët dhe kufizimi i tyre të jetë dhe për një kohë pak më të gjatë e kufizuar dhe të jemi të kujdesshëm. Ne kemi filluar fazën e dytë të epidemisë, që është pak më e gjatë dhe pak më e zbutur dhe në favor të gjallërimit të jetës ekonomike dhe lëvizjes së qytetarëve. Pas majit rastet do të jenë sporadike, gjë që do lejojë lehtësimin e masave”.
Sipas Piperos, edhe plazhi do të mund të shijojet nga qytetarët këtë verë.
Mjeku Pipero tha se “pas çdo rasti të konfirmuar përfshihen 10 apo 15 raste të tjera të pakonfirmuara, ku pjesa më e madhe as nuk ka simptoma. Ritmi i transmetimit të virusit ka qenë i ulët në vendin tonë, ndoshta nën 2 dhe për këtë kurba ka qenë e zbutur dhe pas prillit do të ketë zbritje të qëndrueshme”.
“Kryeministri që nga fillimi i epidemisë ka folur me gjuhën e specialistëve të shëndetësisë dhe jo të politikanit. Më vjen mirë që shumë gjëra që tha Kryeministri sot ne specialistët, ku bëj pjesë edhe unë, i kemi thënë edhe më parë. Unë kam thënë që mesi i majit do të na gjejë më të lirë. Jam përkrahës i lehtësimit gradual në proporcion me epideminë, dhe kjo ecuri e epidemisë deri tani e lejon Kryeministrin të marrë këto masa”, – tha Pipero./atsh