Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se vendimet që do të merren për të vijuar me hapjen e më tepër aktiviteteve ekonomike do të jenë të udhëhequra nga shifrat dhe situata që do të paraqitet në sistemin tonë shëndetësor.
“Në këtë proces ne udhëhiqemi në radhë të parë dhe pa diskutim nga shifrat në spitalin e Infektivit. Situata në spital është nën kontroll. Kemi vetëm një numër të kufizuar shtretërish të zënë, ndërkohë po përgatisim edhe spitalin tjetër. Kemi një numër minimal personash në terapi intensive dhe kjo na jep mundësi të shikojmë nga ana e hapjes, sepse e gjithë lufta bëhet për shëndetin që të mos mbetet njeri pa marrë kujdesin e duhur shëndetësor”, bëri të ditur Kryeministri, në një intervistë televizive.
Rama tha se me bllokun e parë të lehtësimit që është tanimë në aktivitet dhe me bllokun e aktiviteteve që do të hapen nga data 27 prill, është lehtësuar puna për një pjesë të konsiderueshme të forcës së punës për sektorin privat në Shqipëri.
“Janë 27 589 njerëz që kthehen në punë, ndërsa do të vijojë të mbështeten nga qeveria me “pagën e luftës”. Të gjitha pagat e premtuara do të shkojnë te ata që janë subjekt para dhe pas paketës së zgjeruar. Taksitë do të fillojnë punë, por ata do të vazhdojnë të marrin pagën e luftës sikundër punonjësit e dyqaneve e tregjeve”, siguroi Kryeministri.
Rama tha se sipas të dhënave, të gjithë personat që aplikuan për tu mbështetur nga paketa e parë e qeverisë, por që u refuzuan për shkak të kritereve të përcaktuara, që janë mbi 60 mijë individë, përfitojnë përmes paketës së zgjeruar mbështetëse bonusin prej 40 mijë lekësh, që do ta marrin shumë shpejt./atsh