Bashkia e Vlorës organizoi mbrëmjen e djeshme një koncert në sheshin para teatrit “Petro Marko” Vlorë, si një urim për festën e Pashkës Ortodokse.
Kryetari I bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, tha se “arti dhe muzika le të jenë edhe në këto ditë, një mesazh shprese se çdo gjë do të shkojë mire”.
“Jemi në një qytet të zbrazur. Kemi zgjedhur një gjë ndryshe nga para një jave kemi sjellë në sheshin “Tri Racat”, të rinjtë e qytetit, ata që janë shpresa e muzikës për të ardhmen, me simbolikën që jeta vazhdon”, – theksoi Leli.
Duke falënderuar të rinjtë kryebashkiaku Leli u shpreh se “arti i këtyre të rinjve janë simbolika e shpresë që pas një të keqe duhet të presim një të mirë që vjen”.
“Faleminderit Fjorela, Enea, Redi, Jorgo, Eros që me muzikën tuaj sot lumturuat sadopak qytetarët nga sheshi Tre Racat . Faleminderit shkollës së muzikës “Naim Frashëri” dhe drejtorit Qani Balla që pranuan ftesën time për t’u uruar qytetarëve vlonjatë dhe jo vetëm , Gëzuar Pashkët”, – tha Leli.
Qytetarët vlonjatë e ndoqën koncertin nga ballkonet e shtëpisë së tyre./atsh