Kryeministri Edi Rama deklaroi mbrëmjen e së shtunës se lejedaljet me automjet përmes e-Albania i japin fund emaileve dhe pritjeve të deritanishme për përgjigje, përmes një sistemi të ri që do të aplikohet.
Përmes një videomesazhi, Rama sqaron se sistemi i ri përmes e-Albanias do t’i mundësojë qytetarëve aprovimet e autorizimeve në një kohë të shpejtë, po ashtu edhe autorizimet që u nevojiten qytetarëve për punë.
“Ju lutem atyre që duan autorizim për të shkuar në punë javën tjetër të ndjekin me vëmendje videomesazhin dhe të testojnë sistemin e ri që përmes e-Albania i jep fund pritjeve për aprovimin e autorizimit. Lexoni me vëmendje në hyrje të portalit e-Albania lajmërimi që ju shfaqet, ku do të gjeni qoftë kategoritë e lejuara këtë javë për punë, qoftë protokollin sanitar të sigurisë. E përsëris, sistemi po testohet që deri nesër të jetë plotësisht funksional, prandaj mos u mërzisni nëse do të hasni ndonjë vonesë në aprovim, sepse pjesëmarrja juaj në testim na ndihmon në kolaudimin e sistemit. Lexoni po ashtu me vëmendje pasojat ligjore e penale për shkelësit e kufizimet e posaçme anti-covid të qarkullimit në këmbë apo me automjet”, shprehet Kryeministri Rama.
“Shërbim online vetëm për automjetet dhe motoçikletet. Kujdes! Kjo vlen vetëm për qytetarët që shkojnë në punë. Autorizim i dedikuar për përshkrimin e rrugës “Shtëpi-Punë-Shtëpi”. Leja për automjet vlen vetëm për fashën orare 05:00-08:00 dhe 16-17:30. Mjafton një klik në shërbimin leje për dalje në e-Albania. Identifikohuni në e-Albania, hapni shërbimin leje për dalje, zgjidhni opsionin leje për automjet. Nëse automjeti është në pronësinë tuaj, ai do t’iu shfaqet automatikisht në listë dhe ju mund të klikoni opsionin dërgo menjëherë. Nëse automjeti nuk është në pronësinë tuaj, kryeni aplikimin duke vendosur targën e automjetit dhe numrin e shasisë së tij. Një person mund të aplikojë për lejë qarkullimi vetëm për 1 automjet. Miratimi do të dërgohet në adresën e emalit që keni përdorur për regjistrimin për portalin e-Albania. Të gjithë ju që punoni me turne, përzgjidhni opsionin jashtë fashës orare 05:00-08:00 dhe 16:00-17:30. Më pas zgjidhni orën e saktë të vajtjes dhe kthimit nga puna, çdo ditë të javës edhe në fundjavë. Kërkesat mund të bëhen vetëm nga punonjësit e biznesit që lejohen të ushtrojnë aktivitetin e tyre sipas akteve normative apo nga nëpunësit e administratës publike. Miratimi i kërkesës për ju që punoni me turne vjen në moment dhe është i vlefshëm gjatë gjithë javës aktuale nga e hëna në të dielë. Autorizimi për leje-dalje nga automjetet dhe motocikletat mund të bëhet nëpërmjet e-Albania dhe me mesazh të thjeshtë në nr 55155. Përgjigjja me mesazh vjen brenda 24 orëve. Ju mund të merrni me vete vetëm një person që duhet të ulet në sediljen prapa”, sqarohet në videon e publikuar nga Kryeministri Rama./atsh