Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Besa Shahini tha sot se “nuk do të përsërisim vitin shkollor dhe provimet e maturës do të jenë më të lehta dhe nuk do të përfshihen leksionet nga shtëpia”.
Në një intervistë televizive, Shahini foli për ndikimin e situatës së COVID-19 në arsimin në Shqipëri.
“Dua që ta mbyllim gjithë procesin në kohë që nxënësit që duan të aplikojnë për të studiuar jashtë të kenë mundësi ta bëjnë këtë gjë dhe të mos penalizohen”, tha ajo.
Shahini tha se “brenda muajit prill duhet ta vendosim përfundimisht se si do ta mbyllim vitin shkollor”.
“Kemi dy skenarë të përgatitur, një nëse nuk kthehemi në shkollë fare dhe tjetri nëse kthehemi gradualisht në shkollë duke ruajtur distancën sociale. Të dy skenarët po i zhvillojmë. Kemi udhëzuesin për vlerësimin e fundvitit, udhëzuesin për maturën shtetërore dhe thjesht presim të kalojë kjo periudhë dyjavore që jemi tani që ta marrim një vendim
përfundimtar për mënyrën se si do të mbyllet vitit shkollor”, tha Shahini.
Por ajo tha se “ka disa elementë që i dimë tashmë dhe e e para është se nuk do të përsërisim vitin shkollor”. “Është shumë e rëndësishme të kuptohet kjo. Të gjithë nxënësit do ta mbyllin vitin shkollor nëse duan. Për ata që duan ta përsërisin vitin shkollor, apo duan ta bëjnë maturën vitin tjetër, do e kenë këtë mundësi pa u penalizuar. Do të jetë një vendim që do e marrin familjet nëse duan ta përsërisin, por pa shkruar në diplomë që janë përsëritës”, tha ajo.
Shahini tha se “vendimi nuk është marrë ende por dua shumë që provimet e maturës t’i mbyllim në qershor dhe maturantët të aplikojnë në shkollë të lartë”. Por, ky është skenar që po diskutohet dhe po lëvizim nga dita në ditë duke shtuar elemente të reja. SHBA dhe Britania e madhe vendosën t’i anulojnë provimet, Gjermania insiston t’i mbaj provimet e maturës, Franca vendosi në momentin e fundit t’i anuloj provimet e maturës do të kthehen në shkollë. Italia ka vendosur nëse do të kthehen në shkollë deri në 18 maj do t’i mbajnë provimet e maturës. Pra, po shohim edhe çfarë po ndodh që të marrim elementët më të aplikueshëm”, tha Shahini.
Lidhur me mësimin online, Shahini tha se 97-98% e nxënësve janë të përfshirë në një formë komunikimi me mësuesit e tyre dhe një pjesë tjetër edhe më e madhe po i shtohen ndjekjes së leksioneve përmes TVSH-së. “Nuk është situatë ideale por po bëhet e pamundura si nga ana e mësuesve dhe nga ana e nxënësve”, tha ajo./atsh