Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 236 testime, nga ku kanë rezultuar 8 raste të reja me COVID-19. Në total, sipas Ministrisë së Shëndetësisë janë 475 të prekur nga koronavirusi i ri në Shqipëri.
Eugena Tomini, Shefe e Survejancës dhe Shërbimit të Inteligjencës Epidemike në ISHP gjatë një deklarate për mediat ka theksuar se “në 24 orët që lamë pas, ju bëjmë me dije se ka vijuar puna në terren për identifikimin e rasteve të reja dhe gjurmimin e kontakteve të rasteve, të konfirmuara pozitive”.
“Dje janë testuar 236 persona të dyshuar nga të cilët 45 janë personel shëndetësor, kryesisht në spitalin e Shkodrës. Nga rezultatet e testimeve janë konfirmuar 8 raste pozitive me COVID-19, prej të cilëve 6 raste në Tiranë, 1 personel shëndetësor në Shkodër dhe 1 personel shëndetësor në Kukës. Deri në këto momente janë testuar 4 306 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 475 raste”.- thekson Tomini.
“Siç shihet nga grafiku, prirja e pozitivitetit të mostrave të testuara tregon një qëndrueshmëri të rasteve të konfirmuara, kryesisht gjatë dy javëve të fundit. 24 qytetarë nuk e kanë fituar betejën me COVID-19, megjithë përpjekjet e jashtëzakonshme të personelit shëndetësor”, tha Tomini. /atsh