Loading...

Ndryshimet në Kodin Penal/ Ndëshkimet do të jenë ekzemplare vetëm për periudhën e pandemisë

Ashpërsimi i Kodit Penal kundrejt mosrespektimit të masave të sigurisë në periudhën e pandemisë do të kenë afat vetëm për periudhën e pandemisë.

Kryeministri Edi Rama, gjatë një komunikimit me qytetarët tha se masat ndëshkimore do të jenë ekzemplare, pasi nuk do lejohet që rezultati i kësaj lufte të cenohet nga disa të papërgjegjshëm.

“Ne do të miratojmë futjen në Kodin Penal të masave që lidhen me situatë epidemie, që nuk i kemi pasur fare në Kodin Penal, ku kemi patur karantinimin e kafshëve, por jo të njerëzve. Këto janë kushte lufte, masat janë për këtë periudhë dhe nuk janë për t’u shtrirë përtej periudhës së epidemisë dhe ndëshkimet do të jenë ekzemplare, shembullore për të gjithë ata që do na kërcënojnë rezultatin që kemi arritur dhe fitoren e kësaj lufte”, – tha Rama.

“Kush thotë që gjobat janë për popullin, ai është një individ, nuk është populli, pasi populli nuk i shkel rregullat, populli po t’i kishte shkelur rregullat epidemia do kishte shkaktuar shumë më shumë të sëmurë e mijëra të vdekur. Por jo, gjobat janë për të pabindurit, të papërgjegjshmit, për fajtorët. Nuk janë për të mbushur buxhetin, nuk janë fare për këtë. Nuk mbushet buxheti për ato fare pak gjoba, se janë pak në raport me popullin, por gjobat janë për të dhënë mesazhin se kjo luftë, por dhe jo vetëm kur ka luftë, ka rregulla, jo kush është më i forti”, – tha Rama. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com