Loading...

Kamatëvonesat e energjisë janë falur, pagesat mund të bëhen online

“Nuk do të paguani kamatëvonesën. Kamatëvonesat janë falur”, deklaroi sot kryeministri Edi Rama në një bashkëbisedim me qytetarët në lidhje me situatën që ka krijuar pandemia COVID-19.

Rama tha se nuk është nevoja të shkohet në sportel për të bërë pagesën, por mund ta bëni pagesën siç bëni këtë komentin në Facebook, përmes celularit. “Edhe pagesën e OSHEE mund ta bëni njësoj”, tha ai.

I pyetur nëse përfitojnë nga paketa ata që po punojnë aktualisht, Rama tha se, “për çfarë do të përfshihen ata që punojnë. Edhe unë vazhdoj të punoj, por rrogën time e marr përgjysmë. Natyrisht nuk them që t’i duhet të bësh të njëjtën gjë. Ti do e marrësh rrogën siç e ke marrë gjithmonë. Ministrat e marrin rrogën përgjysmë. Deputetët e PS e marrin rrogën përgjysmë. Për çfarë arsyeje? Për solidaritet. Edhe unë punoj, bile të them të drejtën, më shumë se gjithmonë. Por nuk është se duhet të kërkoj ndonjë shpërblim për këtë përkundrazi. Kështu që ti punon. Shumë mirë, vazhdo punën me shëndet me të gjitha të mirat. Po nuk mundet dot që t’u themi të tjerëve që nga taksat tuaja ne do të paguajmë dhe Albanin sepse Albani pavarësisht se punon, pavarësisht se asgjë s’ka ndryshuar në jetën e tij. Dhe për më tepër diçka e ke kursyer, sepse nuk ke dalë për kafe apo për birra, për gjëra të tjera që janë pjesë e jetës. Nuk e di për çfarë?”

I pyetur nëse përfitojnë pagesë punonjësit në Call Center, Rama tha se, “do të marrësh 400 mijë lekë nga paketa e zgjeruar ti dhe të gjithë ata, të cilët janë në situatën tënde, punonjës në Call Center, me kusht që të jesh i siguruar, të figurosh në listën e të punësuarve, dhe pa diskutim të gjithë do të marrin 400 mijë lekë”.

“Janë 176 mijë familje që do të marrin 400 mijë lekë në llogarinë tënde. Pa kaluar nga pronari, thjesht dhe vetëm do të hapet faqja e aplikimit dhe ti nuk do të bësh asgjë më shumë sesa do të konfirmosh që t’i Guxim Zeneli je punonjës në Call Centerin X. Kaq”, tha Rama.

I pyetur për përfshirjen e biznesit të transportit në paketën ekonomike, Rama tha se, “të gjithë ata, të cilët punojnë në transport dhe janë biznes i vogël, janë të përfshirë në paketën e parë dhe do të marrin një për një atë që ne kemi dhënë. Të gjitha ata që janë punonjës transporti në biznes të madh do të përfitojnë që të gjithë nga paketa e zgjeruar, marrin të gjithë 400 mijë lekë, shoferë, fatorino, çfarëdo qofshin, pa dallim. 400 mijë lekë”.

I pyetur në lidhje me ata që punojnë në tregje, Rama tha se, “ata që punojnë në tregje dhe që janë të regjistruar, jo në të zezë, të regjistruar, janë brenda paketës së zgjeruar 400 mijë lekë”. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com