Loading...

Ja 15 vrasjet që tronditën vendin gjatë vitit 2023, nga Dan Hutra që ekzekutoi 3 gra, te eliminimi i Elton Javori në Fier, vrasja e Ardian Nikulaj dhe saga e hakmarrjeveJa 15 vrasjet që tronditën vendin gjatë vitit 2023,

Ashtu si çdo vit, edhe 2023-shi ishte një vit ku nuk munguan vrasjet dhe ekzekutimet. Në disa raste pati vrasje për motive të dobëta, por nuk munguan atentatet dhe krimet e hakmarrjes. “Pamfleti” ka renditur 15 ngjarjet më të bujshme që tronditën vendin gjatë këtij viti. Padyshim ngjarja më e rëndë ishte ajo e 3 prillit, kur Dan Hutra vrau 3 gra. Sipas dosjes hetimore, Hutra i kishte përgatitur planin e ekzekutimit më herët. Sapo ai ka dalë nga burgu ka nisur me zbatimin e tij. Fillimisht ka marrë një makinë me qira dhe është nisur në Kukës aty ku ka marrë armën e zjarrit. Më pas ka shkuar në Astir ku ka plagosur 40-vjeçaren Marjana Gurakuqi, pasi sipas tij i kishte një borxh prej 80 mijë eurosh. Pasi kreu plagosjen iu drejtua Kodër Kamzës ku u fut në shtëpinë e ish-bashkëjetueses së tij, Elena Hysa. Nga të shtënat mbetën të vrara motra dhe kunata e ish-partneres, Mevlute Hysa dhe Hasime Dafku. Vetë Elena Hysa mbeti e plagosur bashkë me nënën. Më pas Hutra ka marrë rrugën për në zonën e Kamzës ku në rrugën “Besëlidhja” ka ekzekutuar edhe Etleva Kurtin në derë të banesës së saj si shkak i konflikteve më të vëllain e saj brenda burgut. 40-vjeçari kishte objektiv edhe një tjetër person në zonën e Sharrës por që fatmirësisht u prandalua nga policia, e cila e arrestoi atë pas më shumë se 5 orë kërkime. Vrasje tjetër e bujshme ishte padyshim ekzekutimi i Ardian Nikulajt. Ardian Nikulaj u ekzekutua në 19 prill të këtij viti, në lokalin e tij. Më vonë u zbulua se bëhej fjalë për një grup të strukturuar, pasi dolën të përfshirë Edmond Haxhia dhe britanikët Stephen Hunt, Thomas Mithan, Harriet Bridgeman dhe Harry Simson.
Ardian Nikulaj po qëndronte ulur brenda biznesit të tij, kur portugezi, me skafandër hyri dhe qëlloi disa herë me pistoletë, duke e lënë të vdekur në vend. Porositësi ishte Edmond Haxhia. Për kryerjen e kësaj vrasje, Edmond Haxhia mori një armatë të tërë bashkëpunëtorësh të huaj, të cilët për ditë me radhë vëzhguan Nikulajn në hotel për të kronometruar momentin e ekzekutimit. Pas ngjarjes, një pjesë e vrasësve u larguan nga Rinasi dhe të tjerë në rrugë tokësore në Greqi, por shumë shpejt u arrestuan një e nga një. Edmond Haxhia është djali i dajës së Elton Lekstakajt. Nikulaj ishte në hasmëri me fisin Lekstakaj prej vitit 1997 për shkak të një pretendimi se nuk janë paguar 10 mijë lekë të vjetra në një karburant. Kjo ngjarje solli dhe dy vrasje të tjera këtë vit. Fillimisht ekzekutohet me breshëri plumbash Nikolin Lekstakaj. I ndjeri u qëllua sapo doli nga një dyqan. Sipas dëshmitarëve okularë, viktima u godit për vdekje nga një automjet, ku në të ndodheshin 2 persona të maskuar. Më 2 dhjetor ekzekutohet brenda në makinë Entjan Nikulaj, djali i xhaxhait të Ardian Nikulajt. Atentatorët nga një makinë tjetër kanë qëlluar me breshëri kallashnikovi ndaj fuoristradës së bardhë ML të Entjan Nikulaj. 40 vjeçari është transportuar në gjendje shumë të rëndë, në spitalin e Lezhës, për ndihmë mjekësore ku dhe ka ndërruar jetë. Vrasja e fundit që tronditi vendin ishte ajo në burgun e Peqinit ku Arben Lleshi, i dënuar me burg të përjetshëm ka mbetur i vrarë nga Sokol Mjacaj, i cili ka pranuar se armën e siguroi me ndihmën e gardianëve. Nga konflikti ka mbetur i plagosur Indrit Shaqja, një tjetër i dënuar me burg të përjetshëm, që fatmirësisht është jashtë rrezikut për jetën. Janë dhe një numër tjetër i madh vrasjesh që mund t’i shihni më poshtë.

Vrasjet që tronditën vendin gjatë vitit 2023

Vrasjet e ndodhur në janar

1 mars- Dan Hutra ekzekutoi me armë zjarri 3 gra brenda ditës.

3 prill- Ishte ora 23:30 e së dielës, 3 prill 2022, kur në autostradën Tiranë-Durrës biznesmeni i kromit Iliaz Çali po lëviztë në segmentin e autostradës Tiranë- Durrës, kur persona ende të pa identifikuar më një makinë e cila lëvizte në paralel me makinën e Çalit hapin zjarr.

29 mars- Vriten Altin Rexha nga Kukësi dhe Edmond Gosa. Ngjarja ka ndodhur në qendër të qytetit ku pas konfliktit Rexha ka nxjerrë një armë zjarri pistoletë, ndërkohë që Gosa një thikë dhe janë përleshur me njëri-tjetrin deri sa kanë marrë plagë vdekjeprurëse.

19 prill- Ekzekutohet duke pirë kafe në lokalin e tij biznesmeni Ardian Nikulaj. Ai u vra nga një grup vrasësish britanikë. Ndërkohë ai që qëlloi ishte portugez, me origjinë marokene. Në janar pritet ekstradimi i tij në vendin tonë. Vrasja e Nikulajt ka sjellë një numër të madh vrasjesh në muajt në vijim.

2 maj- Një debat për lekët e qirasë u bë shkak për vrasjen e një 51-vjeçari në Shkodër. Vrasja ka ndodhur në momentin, kur Petrit Vuksani kishte shkuar në apartamentin e tij, të cilin e kishte lënë me qira kushëririt të tij Lek Vuksanit. Ky i fundit e qëlloi atë për vdekje.

21 Maj- Vritet Ajan Gosa në Kavajë. Shkak ishte hakmarrja, pasi ai është vëllai i Edmond Gosës që mbeti i vrarë më 29 mars.

Vrasjet e ndodhur në verë

29 qershor- Vrasje e dyfishtë në Dukagjin, qëllohet për vdekje kryeplaku i fshatit Bruçaj dhe djali i tij. Një zjarrëvënie e qëllimshme e shtëpisë së tyre në Dukagjin një natë më parë, ka bërë që Gjokë Gurra, 57 vjeç dhe Eduard Gurra, 31 vjeç, të shkojnë në vendin e origjinës së tyre për të parë dëmet e shkaktuara. Persona ende të paidentifikuar i kanë vënë flakën shtëpisë, ndërsa duket si një skenar i përgatitur për t’i zënë në pritë babë e bir.

19 korrik- Ekzekutohet me breshëri plumbash Nikolin Lekstakaj, i ndjeri u qëllua sapo doli nga një dyqan. Sipas dëshmitarëve okularë, viktima u godit për vdekje nga një automjet, ku në të ndodheshin 2 persona të maskuar. Dyshohet se njëri prej tyre ka hapur zjarr ndaj Nikolinit. Nga mënyra e saktë e realizimit të atentatit, besohet se vrasësit e kanë ruajtur për një kohë të gjatë babain e 3 fëmijëve. Dyshimet e para lidhen me mundësinë e hakmarrjes për vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj, 3 muaj më parë në 19 prill në hotelin e tij në Shëngjin. Kjo hipotezë paraprake ngrihet për shkak të mbiemrit të njëjtë që ka viktima me anëtarët e fisit Lekstakaj, të cilët janë në hasmëri prej 27 vitesh me fisin Nikulaj.

Vrasjet e ndodhur në vjeshtë

21 shtator- Vrasje në Shkodër. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në fshatin Hot i ri, ndërsa viktima është Valter Fierza, 33 vjeç. Sipas burimeve ai është qëlluar pranë makinës së tij, shumë afër banesës. Kanë qenë familjarët që e gjetën të pajetë dhe më pas njoftuan policinë.

26 shtator- Vrasje për hakmarrje në Rrëshen, ekzekutohet 59 vjeçari që kishte dalë nga burgu! Krismat e kallashnikovit tronditën qytetin e Rrëshenit paraditen e kësaj të marte, 26 shtator 2023, duke rikthyer frikën e konflikteve të vjetra mes fiseve në hasmëri. I sapodalë nga burgu, Martin Bardhi (Marku) u ekzekutua në lokalin e tij që ndodhet në hyrje të spitalit të Rrëshenit, 50 metra përballë komisariatit të qytetit. Ai ndodhej në ambientet e jashtme të lokalit bashkë me tre të afërm të tij, Oltion Gjini, ish-drejtor në bashkinë e Mirditës, Ilir Bardhoku, pronar i një lokali aty dhe Indrit Bardhi të cilët mbeten të plagosur nga breshëria e kallashnikovit. Në atentat kanë marrë pjesë dy autorë të maskuar. Me fuoristradë të zezë ata mendohet se kanë ardhur nga pjesa e qendrës së qytetit dhe janë ndaluar në rrugën kryesore, në afërsi të komisariatit të policisë. Njëri prej tyre ka qëlluar me breshëri plumbash në drejtim të tavolinës në verandën e lokalit ku Bardhi dhe tre të afërmit e tij po pinin kafe.

27 shtator- Në orët e mesnatës, 38-vjeçari, Fatjon Dervishi mbeti i vdekur pasi u ekzekutua me armë zjarri nga persona ende të paidentifikuar në fshatin Katund të Sukthit. Dyshohet se kanë marrë pjesë në vrasje dy persona, të cilët pas ekzekutimit të 38-vjeçarit janë larguar nga një rrugë dytësore, pasi është një zonë që nuk mbulohet mirë nga ndriçimi. Autorët kanë qëlluar mbi mjetin e Dervishit të 15 plumba. Në momentin e krimit, viktima ka qenë së bashku me një mikun e tij në makinë, i cili ka shpëtuar i palënduar. Ai ka dëshmuar se ndaj tyre është qëlluar sapo kanë dalë nga një lokal.

30 nëntor- Vrasje për një kanal në Kamëz/ Ekzekutohet me armë zjarri 55-vjeçari, plagoset një tjetër. Një-55 vjeçar humbi jetën në Laknas pas një konflikti banal me fqinjin e tij 70-vjeçar. Në debat e sipër 70-vjeçari Maliq Marku ka qëlluar me pistoletë në drejtim të Shefqet Hasës duke e lënë të vdekur në vend. Për shkak të të shtënave i plagosur mbeti edhe Besim Keça i cili ndodhej rastësisht në vendin e ngjarjes.

Vrasjet e ndodhura në dimër

2 dhjetor- Ekzekutohet brenda në makinë Entjan Nikulaj, djali i xhaxhait të Ardian Nikulajt. Atentatorët nga një makinë tjetër kanë qëlluar me breshëri kallashnikovi ndaj fuoristradës së bardhë ML të Entjan Nikulaj. 40 vjeçari është transportuar në gjendje shumë të rëndë, në spitalin e Lezhës, për ndihmë mjekësore ku dhe ka ndërruar jetë

7 dhjetor- Atentat në Fier/ Ekzekutohet 41 vjeçari Elton Javori. Viktima, i identifikuar si Elton Javori, 41 vjeç, u ekzekutua rreth orës 11:00 në makinën e tij Porsche Cayenne pak metra larg banesës së tij në lagjen ‘16 prilli’ në Fier. Autori është identifikuar si Agim (Agli) Gashi, 35 vjeç. I riu fierak që njihet edhe me emrin Agli, dyshohet se qëlloi me pistoletë pas qafe Elton Javorin në makinë. Viktima në Fier, është nipi i Medi dhe Demir Backës. I pari Medi Backa, i njohur si anëtar i bandës së Fierit u vra në 1997, në masakrën e Levanit, me 23 viktima. Kurse Demir Backa u eliminua me kallashnikovë mbrëmjen e 23 tetorit 2021 në qendër të Fierit.

15 dhjetor -Vrasje në burgun e Peqinit/ Ekzekutohet i burgosuri me pistoletë brenda në qeli. Arben Lleshi, i dënuar me burg të përjetshëm ka mbetur i vrarë nga Sokol Mjacaj, i cili ka pranuar se armën e siguroi me ndihmën e gardianëve. Nga konflikti ka mbetur i plagosur Indrit Shaqja, një tjetër i dënuar me burg të përjetshëm.

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com