Analisti Neritan Sejamini deklaroi në emisionin ‘Të Paekspozuarit” se Fredi Beleri u zgjodh kryetar i bashkisë së Himarës me votat e opozitës shqiptare, PD dhe Partia e Lirisë, ndaj dhe çështja ndaj tij nuk mund të trajtohet si etnike. Ndërsa sekretari i organizatës OMONIA, Marin Suli tha se Beleri është shtetas shqiptar dhe ai ka edhe shtetësi greke dhe shteti grek thotë se një shtet që do të vijë në BE po shkel të drejtat e shtetasit të vet dhe të shtetasit tim.
Pjesë nga debati:
Neritan Sejamini: Këtu ka një pikë shumë të rëndësishme. Jam dakord për pasojat që mund të ketë për aktet korruptive që janë marrë nga kryetari në ikje i bashkisë, sepse, nëse z. Beleri do të ishte kryetar bashkie, do të hapte letrat, do të ketë shumë akte. Por unë kurrsesi kundër trajtimit të kësaj si çështje etnike.
Marin Suli: Unë nuk e trajtova si etnike fare.
Neritan Sejamini: Z. Beleri është zgjedhur me votat e opozitës shqiptare. Po të mos ishin votat e PD-së dhe të Partisë së Lirisë, z. Beleri as nuk do t’i ishte afruar pushtetit. Pra ai ka fituar si kandidat i tyre dhe ato janë më të rëndësishme se votat e Omonias. Dhe ky të trejtohet si kandidat i komunitetit grek dhe si përfaqësues i komunitetit grek, kjo nuk ka ku të rrijë. Vetë z, Jorgo Goro është grek etnik, kryetari i bashkisë së Zarës është etnik grek. Ne nuk kemi çështje etnike këtu, nuk është një çështje ku duhet të ndërhyjë Greqia, sepse është kryetari i zgjedhur me votat e opozitës shqiptare.
Marin Suli: Nuk ke pse të kesh merak. Z. Beleri pasi është shtetas shqiptar dhe ka kandiduar për një nga bashkitë e Shqipërisë, ai ka edhe shtetësi greke dhe shteti grek thotë se një shtet që do të vijë në BE po shkel të drejtat e shtetasit të vet dhe të shtetasit tim.
Neritan Sejamini: Nuk janë shkelur të drejtat etnike të shtetasit Beleri. I janë shkelur të drejtat si çdo shqiptari tjetër.
Marin Suli: Janë shkelur të drejtat e shtetasit shqiptar Beleri të 4 mijë shtetasve himarjotë që e kanë zgjedhur dhe i është shkelur e drejta edhe një shtetasi grek.
Neritan Sejamini: E drejta që i është shkelur atij është e drejta për t’u zgjedhur e Kushtetutës shqiptare dhe ai e merr si shqiptar.