Ish-kryeministri Sali Berisha ka përshëndetur nga ballkoni protestuait që janë mbledhur në mbështetje të tij.
Nga ballkoni, Berisha ka mbajtur dhe një fjalim ku tha se beteja e opozitës është aq e shenjtë sa fjala e lirë dhe dinjiteti.
Berisha gjithashtu hodhi akuza ndaj Ramës duke thënë se në një hark kohor të shkurtër, Edi Rama, mafia e tij më e rrezikshme në Europë, u vërsul me tërbim kundër fjalës së lirë.
“Kjo betejë është e shenjtë, aq sa është për njeriun e shenjtë liria e tij, aq sa është për njeriun i shenjtë dinjiteti i tij dhe aq sa është për qytetarin i shenjtë dheu i tij.
Në një hark kohor të shkurtër, Edi Rama, mafia e tij më e rrezikshme në Europë, u vërsul me tërbim kundër fjalës së lirë. Mbylli televizione, mbylli media, i shembi kryeqytetin dhe kombit simbolin e mrekullueshëm, Teatrin Kombëtar.
Edi Rama, njësoj si një bandit, pa ligj, moral dhe dinjitet, trajtoi shqiptarët në Astrit, te Unaza, njësoj si një pushtues i egër.
Mashtroi studentët. Edi Rama vendosi votën e shqiptarëve, vullnetin e tyre, në kontrollin e tij, bandave të tij, parave të krimit të bandave të tij.
Ai ia doli me fuqinë e korrupsionit të mposhtë opozitën, ta kontrollojë dhe pas kësaj mendoi se Shqipëria pa opozitë, si Shqipëria e xhaxhait të tij, dajës së tij, që firmoste ekzekutimin e Genc Lekës, e dhjetëra intelektualë shqiptarë.
Njëlloj si Shqipëria e babait të tij që firmoste varjen në litar të Havzi Nelës.
Ku ai si padrino i saj, të merrte çdo vendim, të kryente çdo akt, të bënte ndaj Shqiptarëve atë që se ka bërë asnjë pushtues.
Nga kjo tribunë e lirisë, dinjitetit dhe guximit, ju ftoni vlerat patriotike të çdo shqiptari.
Shqiptarë, atdhetarë, kudo që jeni, mos harroni se në Tiranë sot është një armik i egër, i kombit shqiptar, i cili në raport me pjesë të tjera të kombit është vëlla siamez me Enver Hoxhën.
Sa erdhi në pushtet, pa bërë betimin, fluturoi në Kosovë dhe e pritën si kryeministrin e Shqipërisë si kryeministër. Hyri si bandit dhe fyu pavarësinë e Kosovës.
Beteja e tij kundër popullit të Kosovës është beteja më e egër e zhvilluar ndonjëherë pas asaj të Vuçiçit.
Sot, ish udhëheqësit politikë të Kosovës janë në Hagë. Jua them se ndjekësi i tyre është Edi Rama.
Rama dhe Sorosin nisën projektet e copëtimit të Kosovës për llogari të Vuçiçit”, tha Berisha.