Historia e Alex Baty 17-vjeçarit britanik , i cili u zhduk në Spanjë 6 vite më parë ka një fund të lumtur. Adoleshenti u gjet këtë javë në jug të Francës dhe më pas u kthye në shtëpinë e tij në Londër i shoqëruar nga oficerët britanikë. Do të jetojë me gjyshen, e cila kishte kujdestarinë e tij para se të rrëmbehej.
Aleksi u rrëmbye në vitin 2017 gjatë pushimeve në Malaga të Spanjës nga nëna e tij dhe gjyshi, ndërsa mediat britanike shkruajnë se në atë kohë ata po kërkonin një mënyrë jetese alternative dhe nuk donin që Aleksi të shkonte në shkollë.
Mediat shkruajnë se adoleshenti gjatë 6 viteve ka bërë një jetë “nomade”. Ai u gjet rastësisht mbrëmjen e së enjtes nga një shofer teksa ecte përgjatë një rruge, në një zonë malore, pranë Toluzës.
Fabien Accidini, një student francez kujton momentet kur gjeti adoleshentin e zhdukur.
“Ai po ecte në mes të një pylli, në një vend që ishte plotësisht i humbur, 20 minuta me makinë nga fshati më i afërt dhe kjo nuk është e zakonshme, nuk ka asnjë shpjegim që dikush të ecë në atë zonë kaq vonë. Gjatë rrugës mendova të ndaloja dhe ta pyesja nëse është mirë, apo edhe thjesht ta ndihmoja, ose të paktën ta dërgoja në një qytet sa më shpejt që të ishte e mundur.”
Ai thotë se i dha celularin e tij, në mënyrë që t’i dërgonte një mesazh gjyshes së tij në Angli.
“Është një histori e pabesueshme. Nuk e kisha menduar kurrë se do të nisesha për në punë në mesnatë dhe do të përfundoja duke marrë dikë në anë të rrugës që është rrëmbyer prej gjashtë vitesh.”
Autoritet britanike thonë se adoleshenti është në gjendje të mirë shëndetësore dhe nuk është keqtrajtuar gjatë këtyre 6 viteve.
Rasti i zhdukjes së adoleshentit po hetohet nga drejtësia britanike ndërsa ende nuk dihet asgjë për fatin e nënës së tij.