Kjo shtetase në katër raste është prezantuar si kushërirë
Zbulohen të tjera detaje nga vrasja që ndodhi pak ditë më parë brenda burgut te Peqinit. Sokol Mjacaj rezulton se ka bërë 5 takime për vitin 2023.
I fundit ka qenë më 25 Gusht. Sa i përket futjes së ushqimeve kjo ka ndodhur nga dy persona. Vetëm një herë, më 1 Shtator, i ka dërguar i vëllai Paulin Mjacaj. Ndërsa në 4 raste të tjera ia ka dërguar një grua. Ajo është prezantuar si kushërirë e Mjacajt, ndërsa më 16 Nëntor, që rezulton edhe hera e fundit, është prezantuar si mikeshë. Sipas Kamber Hoxhës, gruaja në fjalë quhet Ilda Rapo.
“Nga verifikimi për futjen e ushqimeve, nga data 01.09.2023 deri sot ka futur ushqime në datën 01.09.2023, 14.09.2023, 22.09.2023, 03.10.2023 dhe 16.11.2023. Në datën 01.09.2023, i ka sjellë i vëllai Paulin Mjacaj, kurse në rastet e tjera i ka sjellë kushërira e tij me emrin Ilda Rapo.
Kjo shtetase në katër raste është prezantuar si kushërirë dhe në datën 16.11.2023 është prezantuar si mikeshë. Personi që sjell ushqimet regjistrohet nëpërmjet kartës së identitetit dhe pyetet i burgosuri nëse është dakord që t’i pranojë ose jo ushqimet. Për rastin konkret, për periudhën që unë jam në detyrë nuk ka pasur rast të tillë, duke u bazuar në informacionin paraprak që kam marrë. Në dijeninë time për këtë periudhë nuk ka pasur asnjë konflikt”, tha drejtori i burgut.
12 persona janë vënë në pranga pas rastit të rëndë në burgun e Peqinit ku i dënuari Sokol Mjacaj vrau me armë zjarri të dënuarin tjetër Arben Lleshin dhe plagosi Indrit Shaqjen. Një ndër të arrestuarit është edhe drejtori i komanduar i burgut, Kamber Hoxha.