Kryetarja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi, ka pranuar se është në hetim nga Prokuroria e Posaçme.
E pyetur në lidhje me sekuestrimin e një sendi të saj nga prokuroria, Kryemadhi tha se, ‘SPAK ka sekuestruar një send që ka të bëjë me inceneratorët’.
Kryemadhi, e cila deri tani ka bërë 3 denoncime në SPAK, shprehet se ka marrë kërcënime, por thekson se është e vendosur për t’i shkuar deri në fund kësaj çështjeje.
“Ky prezantim është produkt i një pune shumë voluminoze, vjen sot pas një viti punë intensive, të pa ndalur dhe konstistente. Janë marrë në analizë të detajuar puna e të gjitha institucioneve publike që kanë lidhje me këtë skemë korruptive.
Shkeljet ligjore për miratimin e kontratës koncesionare i kemi faktuar kohë më parë, ndërsa tani po vazhdojmë të dëshmojmë se si po zbatohet kjo kontratë koncesionare.
Do të shikoni si vidhen shqiptarët, si mashtrohen, si dëmtohet shëndeti i qytetarëve të Tiranës dhe skandale nga më të padëgjuarat, që vetëm mendja dibolike dhe e sëmurë për korrupsion e Erion Veliaj, mund të kryejnë këto shkelje.
Kemi analizuar të dhëna dhe informata komplekse, duke ndjekur rrugën e procedurave dhe të parasë publike, se si është shkelur ligji, kush janë përgjegjësit, si janë shpërdoruar paratë publike, kush kanë qenë përfituesit.
Nëse Partia e Lirisë do të kishte qenë pjesë e Komisionit Hetimor Parlamentar, ky produkt që vjen sot, do të vinte në një kohë më të shpejtë dhe vetë rezultati që prodhoi ai komision hetimor, do të ishte tërësisht ndryshe.
Megjithatë, edhe kapja e parlamentit, ashtu si kapja e gjithë shtetit nga qeveria, nuk do të më ndalonte mua si Monikë personalisht nuk do të më ndalonte në zbardhjen e kësaj afere korruptive, të plotë, duke marrë parasysh edhe çdo pasojë që mund të vinte për mua, familjen time reale dhe atë politike, nga qeveria dhe mafia e lidhur me të”, tha Kryemadhi.
Kryemadhi thotë se Bashkia Tiranë nuk ka çuar përfaqësues në Njësinë e Zbatimit të Projektit dhe se kontrata e Koncesionit të Inceneratorit të Tiranës funksionon vetëm për të paguar koncesionarin
“Monitorimi nga Autoriteti Kontraktues dhe Bashkia Tiranë nuk funksionon. Njësia e Zbatimit të Projektit nuk është formuar. Kontrata e Koncesionit të Inceneratorit të Tiranës funksionon vetëm për të paguar koncesionarin ndërkohë, që nuk ka asnjë përmbushje detyrimi nga koncesionari.
Qeveria nuk ka ndaluar pagesat, ndërsa ka qenë në dijeni për mosfunksionimin e NJZP nga raporti i Supervizorit të punimeve. Erion Veliaj ka zgjedhur të mos çojë përfaqësuesit e Bashkisë Tiranë në NJZP, ndërkohë ka vijuar pagesat për shërbimin e faturuar me 29 Euro/Ton. Shërbim ky që nuk mund të ofrohej, pasi, vetë NJZP e ka konstatuar se projekti nuk është realizuar”, tha ajo.
Sipas Kryemadhit, Erion Veliaj nuk i ka “dalë dot për zot llogaridhënies shkresore që unë i kam kërkuar. Nuk i ka dalë për zot dot, firmës që ka hedhur dhe as pagesave që ka kryer.”
Ajo shton se “Veliaj ka gënjyer në komisionin hetimor për inceneratorët, dhe ka udhëzuar në cilësinë e sekretarit politik të partisë socialiste për qarkun Tiranë, edhe kryetarët e bashkive Vorë e Rrogozhinë që të mos kthejnë përgjigje ndaj Kryemadhit për pagesat e Bashkisë ndaj Inceneratorit të Tiranës”
Deputetja pretenton se qeveria i fal koncesionarit të inceneratorit të Tiranës 8.5 milionë euro, ndërsa ka publikuatr llogaritjen e penaliteteve të pambledhura deri më datë 30 nëntor 2023
“Kontrata koncesionare ka parashikuar penalitete për firmën private, në rast se ajo nuk përmbushte detyrimet. Penalitetet llogariten në bazë ditore dhe sipas Kryemadhi, krahas vjedhjes së përditshme me paratë publike që i jepen koncesionarit, vendimi i Edi Ramës dhe qeverisë shqiptare për të justifikuar kontratën koncesionare, ka sjell një tjetër dëm ekonomik ndaj buxhetit të shtetit në masën 8.5 milionë Euro.
Në kohën kur qeveria shqiptare, kur bashkia Tiranë, bëhen shumë agresiv ndaj një qytetari që nuk paguan një gjobë makine, apo detyrimet e ujit dhe të dritave, për këtë kontratë koncesionare miliona Euro të miqve të tyre, qeveria ka zgjedhur të mos arkëtojë deri më tani asnjë nga penalitetet që koncesionari duhet të paguante”, tha ajo.
Kryemadhi publikoi dhe pamje me dron, dhe tha se Erion Veliaj ka detyruar firmat e ndërtimit t’i paguajnë inceneratorit 60 milionë euro për dherat, por ato janë depozituar jashtë inceneratorit.
“Pas firmosjes së kontratës së inceneratorit të Tiranës, Bashkia Tiranë ndërmori veprime për të detyruar të gjithë ndërtuesit në Tiranë, që dherat e prodhuara nga ndërtimi, të ishin të detyruar ti conin në inceneratorin e Tiranës, kundrejt pagesës. Kjo gjë u denoncua dhe nga kryetari I shoqatës së ndërtuesve, në komisionin hetimor parlamentar”, u shpreh deputetja.