Emigranti shqiptar, Andon Kumria, ka humbur jetën në një aksident tragjik në Itali të enjten më 21 Dhjetor në spitalin Papa Giovanni në Bergamo.
Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, i riu nuk ka mundur ta fitojë betejën për jetën.
Aksidenti ka ndodhur pak para orës 05:30 me orën lokale, ku janë përfshirë edhe tre persona të tjerë.
Pas aksidentit të ndodhur kanë mbërritur edhe dy autoambulanca, si dhe policia rrugore për të kryer hetimet ligjore.
Kumria kishte disa vite që punonte në një restorant si kuzhinier, në Bergamo, i cili po ashtu edhe jetonte në këtë qytet, raportojnë mediat italiane.
Vdekja e tij e parakohshme ka tronditur pa masë familjarët e tij dhe punonjësit në restorantin ku ai punonte.
Lamtumira e fundit do t’i jepet të shtunën e 23 Dhjetorit në Bergamo.
Për vdekjen e tij ka folur edhe pronari i restorantit ‘da Giò’ në via Nazionale në Seriate, Itali, ku i riu punonte. Giovanni ka shprehur ngushëllimet e tij për familjarët e viktimës.
Me lotësh pronari tha: ‘Ai ishte krahu im i djathtë, kuzhinieri më i mirë që kam pasur ndonjëherë në njëzet vjet biznes. Andon ishte një djalë shumë i mirë, plot jetë, i përkushtuar ndaj punës. Në këto dy vite nuk e kam dëgjuar kurrë të thotë ‘jo’. Ai ishte shumë i apasionuar pas gatimit, aq sa e kishte studiuar dhe madje kishte shkruar një libër. Ai ishte aq i mirë sa i shita një pjesë të aksioneve në një nga kompanitë e mia. Ai kishte një ëndërr, të shkonte në Amerikë. Ne donim të bënim një udhëtim dhe të shkonim së bashku. Edhe sikur të na ndante fati, ti do të mbetesh përgjithmonë i gdhendur në zemrën time. Shijoje udhëtimin tënd, miku im’.
Përsa i përket aksidentit ai u shpreh se informacioni i vetëm që kishte ishte se i riu kishte humbur jetën nga humbja e kontrollit të makinës.
‘Nuk e di dinamikën e aksidentit, e di që kishte mjegull dhe Andoni humbi kontrollin e makinës’, tha Giovanni.