Rreth 10 ditë nga nata e ndërrimit të viteve, gjeli i detit konsiderohet i “paarritshëm” për shumë familje në Elbasan. Aktualisht një kg peshë e gjallë tregtohet 1000-1200 lekë. Përballë çmimeve në rritje kjo është panorama që ofron tregu i shpendëve në Elbasan. Fermerë e blerës janë të paktë në numër.
Edhe fermerët e gjelave ndjehen keq për fuqinë e ulët blerëse në treg, pasi kanë bërë shpenzime të shumta për rritjen e tyre. Ata thonë për gazetaren e Faxnews Entela Duka se qytetarët vijnë pyesin dhe shumicën e rasteve largohen pa blerë asgjë.
Me shumë mundësi këtë fundviti, gjeli i detit do të mungojë në tryezat festive të shumë familjeve elbasanase. Çmimet e larta, kriza ekonomike dhe të ardhurat e pakta e bëjnë të vështirë blerjen e tij.
Çmimi i gjelit të detit është rritur ndjeshëm në krahasim me një vit më parë, kur blihej 700-800 lekë/kg peshë e gjallë. Nuk janë vetëm pensionistët që e kanë të pamundur blerjen e tij.