Gjatë gjithë kësaj jave, emisioni investigativ “Stop” në Tv Klan ka transmetuar një ngjarje të rëndë që tronditi opinionin publik. Një vajzë e vogël 3-vjeçare u dhunua në kopshtin privat “Stinët” në kryeqytet në mënyrë të tillë që u çua me këmbë të thyer në Spitalin e Traumës.
“Stop” ka sjellë sot një përmbledhje kronologjike të ngjarjes së rëndë që u tentua të mbulohej e të manipulohej nga drejtuesit e kopshtit privat që për më tepër rezultoi i palicensuar. OPGJ nuk mori denoncimin në spital, mjekët nuk bënë gjithashtu denoncim, mjeku ligjor nuk shkoi të bënte ekspertizën e gjendjes së vajzës.
Dje reagoi Ministria e Arsimit duke kërkuar mbylljen e menjëhershme të kopshtit të palicensuar. Tre efektivë policie u pezulluan nga detyra për këtë ngjarje.
Edukatorja dhunuese, Majlinda Dehima, u la në hetim të lirë nga policia, pas transmetimit të pamjeve filmike në “Stop”.
Në video: Dhuna barbare në kopshtin privat, vajza me këmbë të thyer në spital (6 Nëntor 2023)
I ati i vajzës 3-vjeçare ka treguar në mënyrë kronologjike edhe njëherë për emisionin “Stop” si u trajtua rasti i thyerjes së këmbës të së bijës nga instancat përkatëse.
Gazetari: Në çfarë ore ju shkuat në datën 1 Nëntor tek spitali i Traumës?
Babai i vajzës: Shkuam rreth orës 4 e gjysmë. Mjeku që e trajtoi, di vetëm emrin, quhej Juli. Pasi bëmë grafinë, na mori të 2 si prindër me gjithë vajzën na çoi në një dhomë tjetër që ishte konsultë dhe na tha që vajza ka thyer në gjendje të rëndë këmbën.
Gazetari: Ky doktor, ai thërriti oficerët e Policisë Gjyqësore?
Babai i vajzës: Doktori nuk ka shprehu një interes të tillë për të kërkuar një shpjegim apo investigim që meqenëse, prindërit nuk dinë gjë nga ky kopsht, atëherë do të merret oficeri përkatës që të zbardhte çështjen ose të bënte pyetjet që ai di. Ne, pasi hymë brenda që pamë grafinë, nuk erdhi njeri afër që të na pyeste pasi ishte një emergjencë që duhej të shihnim se çfarë kishte ndodhur. Pasi ikëm tek salla tjetër që zbardhnim grafinë në ekran, sa morëm vesh nga mbrapa, një oficer kishte ndaluar zonjën drejtoreshë me gjithë të shoqin e saj duke e pyetur se çfarë ka ndodhur. Zonja, mesa morëm vesh ne, kishte thënë që “jemi të afërmit, nuk ka ndodhur gjë, një aksident i vogël”.
Gazetari: Dhe ai nuk i kishte shkuar më tej zbulimit të ngjarjes? Ishte mjaftuar me pohimet e drejtoreshës?
Babai i vajzës: Po. Ai kishte marrë dëshminë që ishte një rast familjar që ka ndodhur. Nuk erdhi të pyeste njeri. Ngeli tamam një enigmë.
Edukatorja dhunuese, Majlinda Dehima, tha para uniformave blu se mendon që vajza e ka lënduar vajzën tek hapësirat e krevatit, por në fakt e vërteta është krejtësisht ndryshe dhe këtë e vërtetojnë pamjet e fundit të siguruara nga emisioni investigativ “Stop”.
DËSHMIA E EDUKATORES MAJLINDA DEHIMA:
“Kam goditur me vizore vetëm tek karrigia për t’i tërhequr vëmendjen vajzës për në mësim. Rreth orës 15 e 3 minuta, vajza ka nisur të qajë dhe pas kontrollit që i kam bërë, kam parë që këmba ka qenë e enjtur. Më pas, njoftova menjëherë drejtoreshën e kopshtit. Mendoj që vajza e ka lënduar këmbën tek hapësirat e krevatit.”
“Stop” siguroi pamjet e plota filmike ku tregohet qartë sesi vajza dhunohet nga edukatorja, Majlinda Dehima deri në thyerjen e këmbës. Në materialin filmik dëgjohet zhurma e thyerjes, qarja e vajzës dhe të sharat e edukatores nga të miturës.
ORA 13:46 – Vajza qan
Edukatorja 1: Pusho moj… Ua… Ku je ktu mi?!
ORA 13:47 – Futet edukatorja Majlinda Dehima – Dëgjohen goditje
Edukatorja 2, Majlinda Dehima: Çfarë bën ti mi?! Çfarë bën ti mi?! Hë çfarë bën? Çfarë bën mi?! Pse ta kemi ty qefin ne mëngjes, drekë e darkë? Sharabajgë Hiqe moj këmbën këtu, hiqe këmbën, hiqe këmbën.
ORA 13:47 – Dëgjohet kërcitje, vajza fillon të qajë pa pushim
Edukatorja 2, Majlinda Dehima: Jo, jo… Padashje…
Të qarat vazhdojnë deri në orën 15:12 kur vajza bëhet gati për të dalë nga kopshti.
Saimir Kodra: Çfarë tmerri!
Gentian Zenelaj: Ajo që nuk thamë dot 48 orë rresht, ja ku është!
Saimir Kodra: Më pas, do të ndiqni intervistën e babait që e sollëm sot në redaksi për të ja prezantuar atij pamjet, ka thënë se vajza ka folur në spital dhe ka thënë që e ka rrahur edukatorja. Gëloj nga nervat si shumë qytetarë. Gëloj nga marazi, nga frika e madhe sepse kjo punë mund ta stopojë 1 muaj nga masiviteti që mori kjo temë, por kam frikë se do të vazhdojë prapë…
Drejtuesi i emisionit, Saimir Kodra thotë se sonte do të jetë i ftuar në “Opinion” në Tv Klan ku do të flasë pikërisht për këtë investigim të “Stop” që nxorri në dritë një ngjarje sa të shëmtuar, aq edhe të dhimbshme.
Saimir Kodra: Pas transmetimit të emisionit “Stop” në “Opinion” do të jetë po kjo temë. Do të kem përballë shefin e Komisariatit Numër 1 dhe do i bëj këtë pyetje “Çfarë do të bëni sot pas këtyre pamjeve? Pse nuk i kqyrët materiale filmike? Nëse ka marrë lekë dikush, si do i bëhet?”. Ka ligj që dënon të gjitha këto lloj veprimesh. Unë nuk kisha dyshime fare, në gjumë një fëmijë nuk e thyen dot këmbën, por përsa kohë që nuk kishim pamje, nuk e vërtetonim dot.