Shoqërohet në polici edukatorja e kopshtit privat që dhunoi barbarisht 3-vjeçaren.
Majlinda Dehima është edukatorja që punon në kopshtin privat “Stinët” në zonën e Ali Demit e cila në videon e publikuar në emisionin “Stop” duket se dhunon vajzen me vizore dhe me shpulla. Po kështu dyshohet se vajza 3-vjeçare iu thye këmba.
Prindërit e fëmijës u njoftuan për episodin e rëndë nga një telefonatë nga kopshti, në orën 15:00 shumë pasi e mitura ishte transportuar në pediatri, më 1 nëntor 2023. Nga kopshti i thanë se vajzën e kishte pickuar diçka dhe këmba i ishte fryrë. Duke parë gjendjen e vajzës, mjekët sugjeruan ta çojnë në spitalin e Traumës, ku nga grafia rezultoi se thyerje në pjesën e kofshës.
Nga disa momente të kamerave të sigurisë së kopshtit, të datës 1 nëntor 2023, prindërit dyshojnë që ngjarja të ketë ndodhur rreth orës 10:00 të mëngjesit, pasi aty është episodi i parë që edukatorja shfaqet e shqetësuar në mesin e fëmijëve në dhomën e vizatimeve.
Vajza 3-vjeçare hyn pas pak në dhomë duke qarë, dhe si të mos mjaftonte aksidenti apo dhuna e ushtruar ndaj saj (këtë do e ndajnë hetimet), edukatorja e godet të voglën me vizore, e tërheq nga dora dhe e ul me forcë në një karrige. Duke parë lëvizjet e vajzës së vogël, kuptohet që ajo ka dhimbje, dhe çfarëdo t’i ketë ndodhur, dyshohet të jetë shënuar para se ajo të hynte në dhomën e vizatimit, pra shumë herët në mëngjes, dhe jo në orën 15:00 kur prindërit janë njoftuar se diçka e pickoi në këmbë!
Prindërit thanë në emisionin “Stop” se te Spitali i Traumës oficeri i policisë gjyqësore nuk i mori denoncim dhe askush nuk e referoi ngjarjen. Vetëm pas insistimit të tyre, rasti tashmë u hetua fillimisht nga komisariati numër 1 dhe tashmë materialet i janë dorëzuar prokurorisë së Tiranës, por ndërkohë nuk ka asnjë të ndaluar dhe kopshti privat vijon të jetë i hapur.
Ndërkohë MAS ka urdhëruar mbylljen duke sqaruar se kopshti ishte pa licencë.