35-vjeçari nuk ka pritur shërbimet e qarkullimit rrugor, por ka braktisur mjetin
Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me aksidentin e ndodhur në aksin rrugor Sarandë-Kardhiq, ku një automjet u gjet i përmbysur.
Policia ka arritur të identifikojë pronarin e makinës, i cili pas aksidentit e kishte braktisur mjetin. Rezulton se ai është një 35-vjeçar rumun, punonjës i shërbimeve të FRONTEX, i cili po udhëtonte me makinën me targa rumune.
Megjithatë, ende nuk dihet se përse pas aksidentit, ai nuk ka pritur shërbimet e qarkullimit rrugor, për kryerjen e veprimeve procedurale, por është larguar.
Njoftimi i policisë:
Ka nisur procedimi në gjendje të lirë, për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”, për shtetasin L. D., 35 vjeç, banues në Rumani (punonjës i shërbimeve të FRONTEX, jashtë shërbimit), pasi gjatë orëve të para të mëngjesit të sotëm, në aksin rrugor Gajdar-Shijan, ky shtetas ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit dhe si pasojë, automjeti ka dalë nga rruga.
Nga aksidenti janë shkaktuar vetëm dëme materiale. Gjithashtu, 35-vjeçari nuk ka pritur shërbimet e qarkullimit rrugor, për kryerjen e veprimeve procedurale, por është larguar nga vendi i aksidentit.
Materialet procedurale i kaluan prokurorive përkatëse, për veprime të mëtejshme.