Loading...

Virozat e vjeshtës/ Mjeku Kalo paralajmëron qytetarët: Jo vetëmjekim, kujdes me antibiotikët

Mjeku Tritan Kalo ka dhënë disa këshilla për qytetarët, të cilët mund të preken nga virozat e stinës së vjeshtës.

Me anë të një statusi në rrjetet sociale, Kalo thotë se qytetarët nuk duhet të marrin ilaçe në farmaci pa u konsultuar paraprakisht me një mjek.

Ai deklaron se duhet pasur kujdes me përdorimin e antibiotëve, pasi shprehet se ata nuk janë antiviralë.

Mjeku thekson se në asnjë rast nuk duhet bërë vetëmjekim, teksa thekson se përdorimi i shpeshtë i antibiotikëve ul efektshmërinë e tyre për shkak të rritjes së rezistencës bakteriale.

Këshillat e mjekut Tritan Kalo:

Javë të mbarë bashkëkombas brenda dhe jashtë trojeve arbërore… Rikujtesë… Vjeshta bashkëshoqërohet përpos infeksioneve të tjera stinore virale apo bakteriale, edhe me prekje të shpeshta të tonsilave/anginave apo bajameve sikundër i njeh ato populli… Luhatjet e temperaturave e rikthimet në bankat e shkollave me shtimin e kontakteve të përditëshme jetësore, e mundësojnë shfaqjen dhe përhapjen e këtij infeksioni… Mos vraponi direkt në farmaci për të filluar mjekimin e tyre pa u konsultuar paraprakisht me një mjek… Në mbi 70% të tyre, infeksionet tonsilare janë të origjinës virale, çka nuk e justifikon aspak fillimin e një antibakteriali/antibiotiku në kësi rastesh… Antibiotikët nuk janë antiviralë…

Nëse do të kemi të kombinuara tre elementë: 1- temperaturë e lartë mbi 38 gradë celcius, 2- prania e pusit/qelbit mbi tonsila, dhe 3- rritjen e gjëndrave limfatike nën nofulla, të ndjeshme në prekje, bëhet e justifikueshme fillimi i një antibiotiku… Meqënëse streptokokët janë shkaktarët e tyre më të shpeshtë, një antibiotik i familjes së madhe të beta-laktaminave e cefalosporinave është i mjaftueshëm… Ka rëndësi kohëzgjatja e marjes së këtij antibiotiku, prej jo më pak se 7 ditë, por jo më shumë se 10 ditë e bashkëshoqëruar me probiotikë, ulës të temperaturës (alternimi i Paracetamolit me Ibubrufen), dezinfektantë të fytit (aerosole Jodex, Golapiol, etj.), vitaminoterapi (Vitaminë B komplex, C, etj.)…

Marrja vend e pavend e antibiotikëve/antibakterialëve sidomos këto vitet e fundit gjatë pandemisë së Covid-19, ka favorizuar uljen e efektshmërisë së tyre për shkak të rritjes së rezistencës bakteriale… Antibiotikët janë “një thesar i rëndësishëm i njerëzimit” në betejat e tij kundër infeksioneve bakteriale, ndaj duhet bërë shumë kujdes me një thesar të tillë të kaqvlertë… Jo vetëmjekim…

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com