Edi Rama nuk e ka marrë ende vendimin nëse do të kërkojë një mandat të katërt si Kryeministër i Shqipërisë.
“Kurrë nuk kam menduar për mandatin e radhës, mendoj vetëm për atë që duhet të bëj në mandatin aktual. Nuk i marr këto vendime paraprakisht, sepse jeta më ka mësuar, herë me të keq e herë me zemërgjerësi, që është më mirë të kesh një vizion dhe destinacion, por të planifikosh dhe të punosh hap pas hapi. Nuk i dihet kurrë me këto gjëra që po ndodhin. Por edhe pa ndodhur diçka, sërish nuk i dihet,” i tha Rama gazetares Alice Taylor në podkastin “Inside Albania”.
Pyetur më tej nga gazetarja, nëse synon politikën jashtë vendit pasi të mbarojë mandatin e tretë si kryeministër dhe pas disa sukseseve që Shqipëria ka arritur në arenën ndërkombëtare, Rama u shpreh kështu.
“Fakti që komentet ndaj delegacionit rus në OKB u bënë virale ishte çështje fati. Tema ishte shumë e rëndësishme për të gjithë. Kurrë nuk do kishte dalë Shqipëria në të gjitha mediat botërore në një tjetër mënyrë. Ishte fantastike për vendin, për emrin e Shqipërisë. Kur nisa këtë rrugëtim, nuk i kisha të gjitha flokët, por kisha pak flokë të bardha.
Tani siç mund ta shihni, është mision i pamundur të gjeni një fije të zezë në kokën apo fytyrën time. Çdo ditë që kalon, unë hyj në një borxh akoma më të madh me familjen time, fëmijët e mi, miqtë. Ka jetë edhe përtej politikës.”
I pyetur për planet e tij pas tërheqjes nga politika, Rama zbuloi disa detaje interesante.
“Dua të jem versioni i tretë i Edi Ramës. Dikur isha sportist dhe artist. Versioni i tretë do të jetë diçka krejt tjetër. I kam disa ide, por nuk do të jetë politika, asgjë e ngjashme me këtë. Mendoj se është koha. Uroj dhe shpresoj të kem kohë të bëj sërish diçka që do të përfshijë njerëzit, por tërësisht ndryshe nga ky profil,” përfundoi Rama.