A do të arrijë Shqipëria të garantojë votën e emigrantëve në zgjedhjet e 2025-ës? Në parim mazhoranca dhe opozita duket se janë dakordësuar për këtë çështje, por ende nuk ka asnjë hap konkret për të zbatuar rekomandimet e Gjykatës Kushtetuese.
Kjo e fundit ka ngarkuar Kuvendin për plotësimin e hapësirave ligjore dhe ndryshimet kushtetuese, ndërsa kreu i KQZ-së Ilirjan Celibashi tha se këto ndryshime duhet të realizohen deri në janar të vitit 2024, në të kundërt implementimi i votës së emigrantëve nuk do mund të realizohet në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025.
E pranishme në aktivitetin ku u diskutua vota e diasporës, ishte edhe deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku. Ajo tha se opozita duhet të bëjë më shumë presion për këtë çështje e cila duhet të jetë prioriteti kryesor edhe në komisionin e reformës zgjedhore. Ndërsa deputeti i PS-së, Lavdrim Krashi tha se mazhoranca është e gatshme për të punuar dhe mundësuar votën e emigrantëve.