Kryeministri Edi Rama gjatë fjalimit të tij para Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste është shprehur se nuk ka përgjegjësi për t’u skuqur apo kërkuar falje për personat brenda PS-së që “hanë pas shpine”, duke iu referuar arrestimeve të shumta të muajve të fundit nga radhët e kësaj force politike.
Kreu i qeverisë u shpreh se ka një mesazh për të gjithë që përdorin “fjalën e neveritshme Rama të lëshon, Rama s’të mbron, teksa tha se ai mban përgjegjësinë më të madhe morale në raste të tilla.
“Nuk e di sa prej jush këtu mendojnë me gjithë mend se ky vend bëhet, dhe se këtë e bën Partia Socialiste dhe asnjë forcë tjetër që ka pasur mundësinë apo çdo individ që sheh Shqipërinë si një jorgan për t’u djegur kur e pickon pleshti i interesit të vetë.
Po të mos e besoja që ky vend bëhet, as do kisha hyrë në politikë me ftesë të liderit historik të PS-së, e as do përpiqesha t’i zija vendin. Apo të mbaja ë kurriz në 20 vjet më shumë baltë se të gjithë ju bashkë për të qëndruar si lider. As do e përballojë dot. Nuk do i hyja detit në këmbë për këtë.
Ma dëgjoni mirë këtë ju dhe gjithë socialistët që janë shumë pak që qarkullojnë fjalën e neveritshme që Rama të lëshon, Rama s’të mbron. Unë kam përgjegjësi të madhe morale, më të madhen fare nga të gjithë ju, por e dini se cila është përgjegjësia ime morale nuk është as të skuqem apo të kërkoj ndjesë pse dikujt që i besoj një detyrë në frontin e betejave”, u shpreh Rama.