Në Sarandë ka ndodhur një tjetër ngjarje e shëmtuar me turistët e huaj, që të kujton atë me Mihala Kokëdhimën dy vite më parë në Qeparo. Një shqiptar nga Kosova që iu kishte lëshuar me qira apartamentin 6 turistëve italianë i ka mbajtur peng për 1 një orë pasi pretendonte se i kishin dëmtuar disa pajisje në shtëpi. Më pas me të mbërritur policia ai është arrestuar. Më poshtë njoftimi për ngjarjen dhe pamjet e servirura nga policia.
Mbajti peng 6 italianë se i dëmtuan paisjet, prangoset kosovari.
Policia njofton se pas marrjes së njoftimit se në lagjen nr. 1, një shtetas iu kishte hequr lirinë, në mënyrë të kundërligjshme, disa shtetasve, në një apartament, shërbimet e Komisariatit te Policisë Sarandë kanë organizuar punën dhe kanë mbërritur në vendngjarje, me qëllim zbardhjen e rrethanave të rastit dhe arrestimin e autorit.
Si rezultat i veprimeve të menjëhershme të shërbimeve të Policisë, është vënë në pranga shtetasi J. A., 59 vjeç, banues në Prishtinë, si dhe është bërë lirimi i shtetasve, nga apartamenti.
59-vjeçari, për rreth 1 orë, iu ka hequr lirinë 6 shtetasve italianë, në apartamentin që iu kishte dhënë me qira, pasi pretendonte se këta shtetas i kishin dëmtuar disa pajisje në këtë apartament.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Heqja e paligjshme e lirisë”.