Ish-ministri i Financave, Arben Malaj në një intervistë sqaroi skemën e funksionimit të basteve, aktivitet ky që do të rikthehet me ligj dhe nuk do të jetë më i dënueshëm për ata që e ushtrojnë.
Sipas Malajt nëse i referohemi politikave ndaluese, mbyllja e basteve do të ishte më mirë të shoqërohej me hapjen në të njëjtën kohë sepse sipas llogarive janë rreth 100 milionë lekë që nuk janë arkëtuar në buxhet.
“Ndalimi i tyre nuk prodhonte rezultat pozitiv dhe ne e dimë shumë mirë që bastet kanë vazhduar dhe buxheti ka humbur një shumë të konsiderueshme, kështu që në këtë aspekt hapja e tyre, pra formalizimi do të sjellë të ardhura në buxhet që kur luhej në të zezë nuk i kishim. Lufta me bastet është e humbur, e vetmja mënyrë është që t’i legalizosh.
“Paratë që do të arkëtohen do të ndahen në 4 destinacione kryesore, një është kultura, dy sporti, tre teknologjia dhe katër mbrojtja e fituesve. Nga përvoja mund të them që kjo strukturë, që drejtohet nga zv. kryeministri dhe ministrat e linjës përkatëse dhe përfaqësuesit e sporteve, është shumë burokratike. Do të rrezikohet realizimi i buxhetit dhe prandaj një nga këshillat është që këto fonde të jenë të trashëgueshme në mënyrë që shuma që nuk përdoret të mos shuhet,” – u shpreh Malaj.