Kastriot Periku është gjetur pa shenja jete në rajonin e policisë në Kalkidha, 70 km në veri-lindje të Athinës. Sipas mediave greke, ngjarja ka ndodhur gjatë orëve të natës të së enjtes (20 korrik).
Sipas njoftimit për shtyp të drejtorisë së policisë të Kalkidhës, shqiptari ishte ndaluar prej policisë dhe mbahej në qeli për tu dërguar në gjykatë për masë sigurie. Ai u gjet i varur me një çarçaf në kangjellat e qelisë.
Më pas ai u dërgua në spital por mjekët nuk mundën ta shpëtonin. Lidhur me incidentin prokuroria ka hapur një hetim ndërsa policët dhe oficeri i rojës janë marrë të pandehur nën akuzën e shkeljes së rregullave të shërbimit.