Loading...

Mbytet babai me dy djemtë e mitur/ Si ndodhi tragjedia me tre jetë të humbura në bregdetin shqiptar

Babai dhe dy djemtë e tij të mitur kanë humbur tragjikisht jetën në plazhin e Vilë Bashtovës.

Tragjedia e familjes Halilaj nga Tirana u shënua mesditën e kësaj të diele ku Elvis Halilaj, 50 vjeç, dhe dy djemtë, 13 dhe 15 vjeç nuk kanë arritur të dalin më nga deti si pasojë e rrymave të forta detare. Burimet bëjnë me dije se të tre viktimat kanë shkuar thellë me not dhe deti ka qenë i trazuar. Në atë zonë mësohet se nuk ka vrojtues, ndërsa edhe pamjet që kanë ardhur nga vendi i ngjarjes tregojnë se në kullën e vrojtimit nuk ka asnjë rojë ndonëse bëhet fjalë për plazh publik.
Babai dhe dy djemtë e mitur mësohet se kanë shkuar pak larg me not, por në fakt aty nuk ka qenë askush për t’i ndihmuar, pasi burri ka hyrë të nxjerrë dy fëmijët, por ka mbetur edhe vetë brenda. Policia në disa njoftime të nisura për ngjarjen bëri me dije se të tre personat kishin ndërruar jetë, por kanë qenë pushuesit, të cilët kanë treguar se në fakt nëse do kishte ardhur ndihma e parë më shpejt, edhe mund të shpëtoheshin.

Çka do të thotë se babai dhe dy fëmijët janë nxjerrë me shenja jete në breg. Megjithatë, do të jetë mjekësia ligjore që do të thotë fjalën e fundit në lidhje me momentin kur kanë ndërruar jetë tre pjesëtarët e familjes Halilaj. Po ashtu, gjithnjë sipas të dhënave që vijnë nga dëshmitarët, është bërë me dije se në fakt ambulanca është lajmëruar shumë shpejt, por ka shkuar në vendin e ngjarjes rreth një orë e gjysmë me vonesë, çka edhe ka irrituar pushuesit, të cilët kanë qenë të pafuqishëm të mbanin në jetë asnjërin nga të mbyturit.

NGJARJA

Dëshmitarët thonë se ngjarja ka ndodhur në mesditë, rreth orë 12:45. Sipas pushuesve, babai së bashku me dy djemtë ishin shumë thellë dhe rrymat i tërhiqnin akoma më shumë, duke pamundësuar daljen e tyre në breg. Sipas të njëjtave dëshmi, njëri prej djemve kishte shfaqur probleme me daljen nga deti për shkak të rrymave dhe i ati dhe vëllai janë futur për ta ndihmuar.

Ambulanca ka mbërritur ne vendngjarje rreth gjysmë ore pas ngjarjes. Trupi i parë i pajetë që është nxjerrë nga deti, ka qenë Elvis Halilaj, më pas kanë nisur kërkimet për gjetjen e trupave të dy fëmijëve të tij të mitur. Plazhi Vilë-Bashtovë ndodhet rreth 45 km larg qytetit të Durrësit. Këtë të diel plazhet e zonës së Durrësit dhe Spillesë janë shënjuar me flamur të kuq në mesditë për shkak të shtimit dhe fortësisë së rrymave detare duke mos lejuar pushuesit të futen në det, por plazhi ku ndodhi tragjedia është një zone e veçuar publike, ku nuk ka roje apo struktura për të pushuesit.

Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor dhe po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes. Ndonëse jemi në mesin e sezonit turistik, një problematikë që haset është mungesa e vrojtuesve të plazhit që bën edhe të pasigurt qëndrimin e pushuesve që zgjedhin bregdetin shqiptar.

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com